Mafia shqiptare dhe 26 miliardë dollarët e kokainës
Si u kthye Ekuadori në bazën e trafikut drejt Evropës
Klanet shqiptare konsiderohen ndër grupet kriminale që luajtën një rol të hershëm në forcimin e linjave të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Një analizë e publikuar në botimin e ri të “Diálogo Político”, me autor Arturo Torres, sjell në vëmendje mënyrën se si rrjetet shqiptare dhe grupet e tjera ballkanike shfrytëzuan dobësitë e Ekuadorit për të ndërtuar një sistem të fuqishëm të krimit transnacional.
Sipas analizës, tre faktorë krijuan kushtet e favorshme për këtë zhvillim: dobësia e institucioneve dhe korrupsioni në strukturat përgjegjëse për kontrollin, përdorimi i dollarit në ekonomi dhe mekanizmat ende të dobët kundër pastrimit të parave, si dhe rritja e prodhimit dhe kërkesës për kokainë në tregun evropian.
Gjatë 15 viteve të fundit, tregu evropian i kokainës është katërfishuar, ndërsa pothuajse të gjitha vendet e Amerikës Latine janë shndërruar në pika të rëndësishme të zinxhirit të narkotrafikut. Disa prej tyre shërbejnë si vende prodhimi, të tjera si qendra përpunimi ose tranziti, ndërsa një pjesë përdoren për fshehjen dhe pastrimin e parave.
Rajoni prodhon sot më shumë se dyfishin e sasisë së kokainës që prodhonte një dekadë më parë. Në Kolumbi, vendi nga i cili vjen pjesa më e madhe e kokainës në botë, kultivimi i bimës së kokës është trefishuar dhe prodhimi ka arritur në rreth 3.000 tonë në vit, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
Si nisën shqiptarët të shtriheshin në Ekuador
Prania e parë e shqiptarëve në Ekuador daton rreth vitit 2009. Sipas analizës, ata vepronin fillimisht në përputhje me interesat e mafias italiane Ndrangheta, e cila kërkonte të siguronte drejtpërdrejt kokainë nga Kolumbia për ta transportuar më pas drejt tregut evropian.
Ekuadori u ofronte një sërë avantazhesh. Një prej pikave më të rëndësishme ishte Guayaquil, qyteti portual me një strukturë prej tetë portesh, ku një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik lidhej me eksportet.
Nëpërmjet porteve transportoheshin sasi të mëdha bananesh dhe produktesh të tjera drejt Evropës dhe kontinenteve të ndryshme. Volumi i lartë i mallrave që lëviznin në kontejnerë krijoi një mundësi të përshtatshme për fshehjen dhe transportimin e lëndëve narkotike.
Në atë periudhë, autoritetet policore përqendroheshin kryesisht te trafikimi përmes plazheve dhe porteve artizanale të Manabit dhe Esmeraldas, ku droga transportohej me skafe të shpejta drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.
Në Ekuador, dominimin e rrugëve të trafikut e kishte Karteli i Sinaloas. Organizata kishte krijuar një pozicion të fortë në transportimin e drogës përmes territorit ekuadorian, duke përdorur rrugët tokësore, detare dhe ajrore. Kokaina sigurohej nga trafikantët kolumbianë.
Në terren, partneri i Kartelit të Sinaloas për transportin dhe logjistikën ishte banda Los Choneros.
Vendimet që dobësuan kontrollin antidrogë
Një tjetër faktor që ndikoi në ndryshimin e situatës lidhet me ardhjen në pushtet të Rafael Correa në vitin 2007.
Në vitet që pasuan, qeveria e tij mori një sërë vendimesh që, sipas analizës, ndikuan në dobësimin e mekanizmave të kontrollit kundër narkotikëve.
Në vitin 2008, Ekuadori ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet me Kolumbinë dhe, de facto, edhe me Shtetet e Bashkuara. Shkak u bë bombardimi nga avionët kolumbianë i një kampi të FARC-ut në Agostura.
Pas kësaj, u ndërpre shkëmbimi i informacionit, bashkëpunimi dhe operacionet e përbashkëta kundër grupeve të trafikut të drogës në zonat kufitare.
Correa shpërbëri gjithashtu sistemet e inteligjencës që kishin bashkëpunuar me Kolumbinë dhe SHBA-në. Ndërkohë, kompetencat e Marinës për kontrollin e porteve iu transferuan Ministrisë së Transportit.
Si pasojë, mbikëqyrja detare mbeti pa një strukturë të qartë përgjegjëse.
Një tjetër hap me pasoja të rëndësishme ishte miratimi në Kushtetutën e re të vitit 2009 i konceptit të “Qytetarisë Universale”. Ky parim lejonte hyrjen e të huajve në vend pa kërkuar vizë apo dëshmi për të kaluarën penale.
Vetëm pak muaj pas fillimit të kësaj hyrjeje masive të të huajve, në Ekuador nisën të krijoheshin edhe rrugë të reja të trafikimit të qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara, ku u përfshinë rrjete kriminale nga Rusia, Lindja e Mesme dhe Kina.
Guayaquil, laboratori i rrjeteve shqiptare
Fillimisht, objektivi i grupeve shqiptare ishte vendosja në Kolumbi. Megjithatë, ata zgjodhën të testonin modelin e tyre kriminal në Ekuador dhe Guayaquil u kthye në qendrën kryesore të aktivitetit të tyre.
Në këto vite, në qytetin portual mbërriti shqiptari Arbër Çekaj. Ai krijoi një kompani që merrej me eksportin e bananeve dhe këtë aktivitet e përdori si mbulesë për fshehjen e lëndëve narkotike në anijet e mallrave.
Sipas analizës, Çekaj vepronte si përfaqësues i mafias italiane Ndrangheta.
Në të njëjtën periudhë mbërriti në Ekuador edhe Dritan Gjika, i përshkruar si një figurë e rëndësishme e mafias shqiptare. Ai hyri në vend me një vizë vizitori të përkohshëm.
Në vitin 2012, në Ekuador mbërriti Dritan Rexhepi, i konsideruar një prej pionierëve dhe krerëve të parë të kartelit transnacional shqiptar Compañía Bello në Ekuador.
Në fazat e para, qëndrimet e tyre në vend zgjatën vetëm një ose dy muaj. Më pas, strategjia ndryshoi dhe ata nisën të vendoseshin përgjithmonë.
Për të siguruar qëndrimin, përdornin dokumente identiteti të falsifikuara përmes Gjendjes Civile ose paguanin për sigurimin e vizave të përhershme dhe vizave të investitorëve.
Një tjetër mënyrë ishte përdorimi i martesave fiktive. Ata martoheshin me gra ekuadoriane, të cilave u paguanin para për të pranuar të përfshiheshin në këto martesa.
Kompanitë e eksportit si mbulesë
Pasi krijuan lidhje me bashkëpunëtorë vendas, grupet shqiptare identifikuan mundësitë që ofronin sistemi i shoqërive tregtare dhe sektori bankar ekuadorian.
Hapi i radhës ishte krijimi dhe blerja e dhjetëra kompanive eksportuese të frutave dhe produkteve të detit.
Në publik, këto struktura paraqiteshin si biznese të drejtuara nga sipërmarrës të rinj. Ky imazh u mundësoi atyre të depërtonin relativisht lehtë në shtresat e larta të shoqërisë së Guayaquil-it, qytet i njohur për një kulturë të fortë dhe agresive të biznesit.
Ata mësuan shpejt gjuhën spanjolle, krahas gjuhëve të tjera që përdornin.
Kjo strategji u dha mundësinë të krijonin një rrjet të gjerë kontaktesh dhe marrëdhëniesh me biznesmenë, politikanë, zyrtarë të lartë të Policisë dhe Marinës, gjyqtarë dhe prokurorë.
Sipas analizës, ky ishte momenti kur nisi të merrte formë dhe të zgjerohej fenomeni kriminal.
Nga trafiku i kokainës te infiltrimi i shtetit
Rrjetet kriminale shqiptare dhe grupet e tjera ballkanike nisën gradualisht të depërtonin në institucione dhe në struktura të ndryshme të shoqërisë ekuadoriane.
Synimi ishte marrja nën kontroll e hallkave strategjike të zinxhirit të furnizimit me kokainë dhe krijimi i një fluksi të madh droge drejt Evropës.
Tregu evropian i kokainës vlerësohet në mbi 12 miliardë dollarë në vit.
Fitimet e jashtëzakonshme u dhanë grupeve kriminale mundësinë të diversifikonin aktivitetet e tyre. Ata nuk mbështeteshin më vetëm te narkotrafiku, por investonin paratë e përfituara nga droga në sektorë të tjerë kriminalë.
Një prej aktiviteteve ku u drejtuan këto fonde ishte nxjerrja e paligjshme e arit.
Sipas vlerësimeve zyrtare, të mbështetura edhe nga presidenti Daniel Noboa, ekonomitë kriminale të drejtuara nga mafie ballkanike gjenerojnë aktualisht rreth 26 miliardë dollarë të ardhura.
Kjo shifër është e barabartë me rreth 20% të PBB-së së Ekuadorit.
Rreth 50 banda kriminale veprojnë në Ekuador
Përmasat e këtij aktiviteti kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë e vendit.
Që nga viti 2021, pasiguria shpërtheu fillimisht në Guayaquil dhe më pas u përhap në qytetet kryesore të Ekuadorit, përfshirë kryeqytetin Kuito.
Sot në vend veprojnë rreth 50 banda kriminale.
Një pjesë e tyre ofrojnë, në varësi të rasteve, shërbime për transportin dhe grumbullimin e kokainës brenda Ekuadorit. Klientët e tyre nuk janë vetëm grupet ballkanike, por edhe Karteli i Sinaloas dhe Karteli Jalisco Nueva Generación.
Përplasja mes këtyre grupeve për kontrollin e territoreve dhe zgjerimin e aktiviteteve kriminale ka shkaktuar një përshkallëzim të fortë të dhunës.
Në janar 2024, qeveria ekuadoriane shpalli një “gjendje lufte” kundër grupeve kriminale. Megjithatë, sipas analizës, nuk u shoqërua me një strategji të qartë për mënyrën se si do të çmontohej në mënyrë afatgjatë ky fenomen.
Pasojat janë reflektuar në statistikat e vrasjeve.
Shkalla e vdekjeve të dhunshme u rrit nga 6 në 50,9 për çdo 100.000 banorë gjatë periudhës 2019-2025.
Brenda vetëm katër vitesh, Ekuadori u transformua në një prej vendeve më të dhunshme dhe më të pasigurta të Amerikës Latine.
SHBA dhe BE shtojnë bashkëpunimin
Përballë kësaj situate, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rritur ndjeshëm bashkëpunimin me autoritetet ekuadoriane.
Qasjet e tyre janë të ndryshme, por në disa drejtime plotësojnë njëra-tjetrën.
Bashkimi Evropian ndjek një qasje më gjithëpërfshirëse, duke u fokusuar te shkaqet strukturore të kriminalitetit. Kjo përfshin trajnime, mbështetje për programe sociale dhe shkëmbim të informacionit të inteligjencës.
SHBA-ja, ndërkohë, është përqendruar më shumë në sigurimin e pajisjeve dhe infrastrukturës për forcat e rendit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit në fushën e inteligjencës.
Megjithatë, masat e ndërmarra deri tani nuk kanë arritur të ndryshojnë në mënyrë thelbësore situatën.
Pavarësisht operacioneve të vazhdueshme, arrestimeve të anëtarëve të bandave, shtimit të forcave policore dhe ushtarake në terren dhe politikave ndëshkuese, shteti ekuadorian vazhdon të veprojë kryesisht në mënyrë reaguese.
Problemi kryesor është se institucionet kanë humbur një pjesë të aftësisë për ta parandaluar fenomenin përpara se ai të zgjerohet dhe për të rikthyer kontrollin mbi territoret ku grupet kriminale kanë krijuar ndikim të qëndrueshëm.
Në disa prej këtyre zonave, grupet kriminale kanë kaluar nga kontrolli i aktiviteteve të paligjshme në një formë të asaj që përshkruhet si “qeverisje kriminale”.
Në përfundim, sfida më e madhe për qeverinë e Ekuadorit mbetet mungesa e një strategjie efektive dhe shumëdimensionale për të përballuar krizën e sigurisë.
Narkotrafiku, infiltrimi institucional, pastrimi i parave, korrupsioni dhe kontrolli territorial nga grupet kriminale tashmë janë kthyer në një problem që prek jo vetëm sigurinë publike, por edhe funksionimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike.
Në këtë realitet, lufta kundër mafieve shqiptare dhe rrjeteve të tjera transnacionale nuk mund të kufizohet vetëm te arrestimet dhe operacionet policore. Përmasat e fenomenit tregojnë se Ekuadori përballet me një sfidë shumë më të gjerë, që prek ekonominë, institucionet, sigurinë dhe vetë qëndrueshmërinë e sistemit demokratik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



