Katër helmime, mbi 200 studentë në spital dhe asnjë përgjegjës!
“Sori-Al” i shpëton sërish bllokimit
Për të dytën herë brenda pak javësh, AKU i heq pezullimin kompanisë “Sori-Al” pasi analizat rezultojnë “konforme”. Por pyetja mbetet e njëjtë: nëse ushqimi ishte i sigurt, kush i helmoi studentët?
Për herë të dytë brenda pak javësh, kompania e kateringut “Sori-Al” i është rikthyer normalisht aktivitetit, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vendosur të heqë masën e pezullimit. Vendimi u mor pas analizave laboratorike, të cilat, sipas institucioneve, rezultuan brenda standardeve të sigurisë ushqimore.
Megjithatë, zhbllokimi i aktivitetit rikthen në qendër të debatit një pyetje që prej vitesh mbetet pa përgjigje: si është e mundur që dhjetëra studentë përfundojnë në spital me simptoma helmimi, ndërsa analizat laboratorike dalin çdo herë “konforme”?
Sipas njoftimit të AKU-së, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) analizoi 33 mostra ushqimore dhe tamponë higjienikë, ndërsa kompania kreu edhe analizat e vetëkontrollit për ambientet, pajisjet dhe punonjësit.
Pas rezultateve të para, më 10 korrik, inspektorët e AKU-së zhvilluan një tjetër kontroll në kuzhinën e Garnizonit “Skënderbej”, ku u morën edhe tre mostra të tjera për analizë. Edhe këto rezultuan, sipas institucionit, në përputhje me kërkesat ligjore, duke çuar në heqjen e pezullimit dhe lejimin e rifillimit të aktivitetit.
Në njoftimin zyrtar, AKU thekson se analizat e kryera si për mostrat e marra më 25 qershor, ashtu edhe për ato të 10 korrikut, rezultuan konforme për kushtet e higjienës dhe sigurisë ushqimore, ndaj subjekti “Sori-Al” u autorizua të vijojë gatimin e ushqimeve në ambientet e kuzhinës së Garnizonit “Skënderbej”.
Por vendimi nuk i jep përgjigje pyetjes më të rëndësishme.
Nëse ushqimi ishte brenda standardeve dhe kushtet higjieno-sanitare rezultojnë të rregullta, çfarë i dërgoi studentët në spital?
Një histori që përsëritet prej më shumë se një dekade
Helmimi i fundit nuk ishte një rast i izoluar.
Vetëm në muajt e fundit janë regjistruar dy episode të rënda në Akademinë e Sigurisë. Në maj të këtij viti, 56 studentëpërfunduan në spital me simptoma helmimi. Vetëm pak javë më vonë, në qershor, numri i të prekurve u rrit në 64 studentë, ndërsa dyshimet ranë sërish mbi ushqimin e furnizuar nga e njëjta kompani.
Por historia nuk nis në vitin 2026.
Më 18 maj 2015, plot 63 studentë të Akademisë së Policisë u helmuan pasi konsumuan ushqimin e përgatitur nga “Sori-Al”. Gjashtë vite më vonë, më 3 mars 2021, u regjistrua një tjetër episod, ku 30 studentë përfunduan në spital me të njëjtat simptoma.
Në total, në katër episode të dokumentuara ndër vite, mbi 200 studentë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas konsumimit të ushqimit të furnizuar nga e njëjta kompani.
Megjithatë, asnjë prej këtyre rasteve nuk ka çuar në një ndalim të përhershëm të aktivitetit të saj.
Miliona nga tenderët publikë
Pavarësisht episodeve të përsëritura, “Sori-Al” ka vijuar të fitojë kontrata publike.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2025 kompania kishte siguruar 75 tenderë publikë, me një vlerë totale prej rreth 4.2 miliardë lekësh.
Përveç Akademisë së Sigurisë, kompania furnizon me ushqim edhe institucione të tjera publike, përfshirë kopshte, çerdhe dhe institucione shtetërore.
Hetimet prekën punonjësit, jo kompaninë
Pas helmimit të fundit, organet ligjzbatuese ndërhynë duke arrestuar kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe teknologen e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa administratorja Alma Tafani u shpall në kërkim.
Megjithatë, me daljen e analizave laboratorike që rezultuan “konforme”, AKU vendosi të heqë pezullimin dhe t’i lejojë kompanisë të rifillojë aktivitetin.
Kështu, edhe pas katër episodeve të helmimeve masive në më shumë se një dekadë, “Sori-Al” vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj.
Ndërsa kompania rikthehet në punë, mbetet ende pa përgjigje pyetja që ka shoqëruar çdo rast helmimi: nëse ushqimi dhe kushtet higjieno-sanitare rezultojnë gjithmonë sipas standardeve, atëherë çfarë po i dërgon vazhdimisht studentët në spital?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



