E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KED drejt ngritjes së ILD, do kontrollojë sistemin e drejtësisë
Publik News

KED drejt ngritjes së ILD, do kontrollojë sistemin e drejtësisë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka tashmë 6 kandidatë për inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe në mbledhjen e radhës do të kryejë intervistimet për t’i pikëzuar më vonë. KED-2019-600x349

Në mbledhjen e djeshme, KED ka mbyllur garën për ish-gjyqtarin Artur Malaj, pas shkarkimit nga KPA, dhe Marsida Xhaferllarin, që tashmë nuk mund të jetë pjesë e garës, pasi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

“Ndalimin e kandidimit të kandidatit Artur Malaj në vendin vakant për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në datën 01.03.2019. Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës së z. Marsida Xhaferllari, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për vendin vakant për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, të shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në dt. 01.03.2019”, njoftoi dje KED.

 

KANDIDATËT

Për vazhdimin e garës për ILD, Kushtetuta parashikon të paktën 5 kandidatë, çka disa muaj më parë frenoi garën dhe ngritjen e një prej organeve më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi. Të lejuar për garën për Inspektor janë Artur Metani, Erid Hysa, Joana Sorraj, Sokol Stojani dhe Lindita Troja. “Në mbledhjen e radhës së KED, ky këshill do të vijojë me intervistimin e kandidatëve të lejuar për kandidim, e më pas me procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe pikëzimit të tyre, si më poshtë: Artur Metani, Eris Hysi, Joana Asimi Sorraj, Lindita Troja, Sokol Stojani”, njoftoi Këshilli.

Më herët, ishte lejuar për kandidim Artur Metani. Në tetor të 2018-ës, ai u emërua Avokat i Përgjithshëm i Shtetit me urdhër të Kryeministrit, ndërsa ka një karrierë të gjatë në administratë. Më herët ka qenë këshilltar ligjor në kabinetin e Presidentit të Republikës, të Presidentit Mejdani, Presidentit Moisiu dhe Presidentit Topi.

Ndërsa nga viti 2013, është emëruar drejtori i Njësisë së Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri. Kandidate e konfirmuar nga KED për të vazhduar garën për në ILD, është edhe avokatja Eris Hysi. Të përshtatshme u konsideruan nga KED edhe Marsida Xhaferllari dhe Artur Malaj, ky i fundit u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për probleme me pasurinë, pasi më herët kishte kaluar shkallën e parë të vetingut.

KOMPETENCAT

ILD është institucioni që do të merret me ankesat dhe hetimet disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët. Inspektorati qëndron më lartë në hierarkinë e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë, duke hetuar edhe anëtarët e KLP-së dhe GLGJ-së, në rast të shkeljeve.

“Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë”, sqarohet në ligjin për organet e reja të drejtësisë në vend.

KANDIDATET

1. Artur Metani
2. Eris Hysi
3. Joana Sorraj
4. Lindita Troja
5. Sokol Stojani

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.