Këlliçi në terren pranë banorëve të njësisë 4/ “Po i vjedhin pronën, nuk presin vendimin e Gjykatës”
Deputeti i Partisë Demokratike, Belin Këlliçi vijon të mbështesë banorët e njësisë 4 në Tiranë të cilëve do t’u shemben apartamentet.
Këlliçi ka thënë se kërkon transparencë për banorët duke hedhur dhe akuza ndaj bashkisë se qëllimi i tyre është t’i vjedhin pronën këtyre banorëve dhe t’i nxjerrë jashtë.
Sipas tij largimi i banorëve në mënyre të menjëhershme bëhet për shëmbjen e pallatit përpara se të jepet vendimi i Gjykatës.
“Është bërë kallëzim në SPAK, dhe është bërë kallëzim ndaj personave përgjegjës. Kam bërë kërkesë në disa institucione, të dimë se kush është firma që do të bëjë ndërtimin, e dim që bashkia është prapa kësaj, por duam të dim se përse ky nxitim për të nxjerrë këta banorë, i kanë të gjitha dokumentat në rregull. Banorët kërkojnë transparencë për kursimet e një jete që kanë punuar. Nëser në orën 09.00 do të ketë një seancë gjyqësore. Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje. Ajo çfarë kërkojnë është transparencë, duan të dinë se çfarë do të ndodhë më ata. Ata duan t’i vjedhin pronën, duan t’i nxjerrin jashtë. Banorët nuk duan favore, duan shtëpinë e tyre. E gjithë kjo bëhet për ta shëmbur para vendimit të Gjykatës”,u shpreh ai.
Banorët e njësisë numër 4 të shqetësuar për shembjen e pallatave në të cilët jetojnë, janë shprehur se prej ditësh po jetojnë në errësirë të plotë dhe pa ujë.
Kandidati i PD-së, për Bashkinë e Tiranës, i cili i është bashkuar shqetësimit të tyre, ka deklaruar se banorët po trajtohen në mënyrë barbare saqë po detyrohen që për nevojat e tyre personale, të shkojnë në lokalet e lagjes.
Ndër të tjera Këlliçi ka hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, duke thënë se po grabit pronën e qytetarëve duke mos pritur as vendimin e gjykatës për këtë çështje.
“Të gjitha procedurat ligjore janë bërë, kallëzimet janë bërë, janë sjellë në mënyrë të njerëzishme, jam i sigurt se nëse telefonohet në 4 të mëngjesit për mungesë uji apo dritash nuk e hap njeri telefonin por për të shkatërruar, për të prerë dritat dhe ujë të vihet në 4 të mëngjesit. T’i jepet fund këtij trajtimi barbar që ju bëhet qytetarëve, është i pashembult. Kjo është e vërteta e një bashkie që kërkon të të grabisë pronën e qytetarëve. Për nevojat personale shkojnë në lokalet e lagjes”, është shprehur i shqetësuar Belind Këlliçi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



