Kërcënimi rus, NATO mban mbledhjen urgjente: Do aktivizojmë Nenin 5
NATO i ka dërguar një mesazh të qartë Rusisë për të ndaluar sjelljen e saj “të papërgjegjshme” dhe “të pamatur” ndaj shteteve anëtare, duke dënuar shkeljen e hapësirës ajrore estoneze më 19 shtator, kur tre avionë MiG-31 të armatosur rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë për më shumë se dhjetë minuta.
Këshilli i Atlantikut të Veriut, i cili u mblodh me kërkesë të Estonisë, paralajmëroi se këto veprime mund të aktivizojnë Nenit 5, klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s, që thotë se një sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Këshilli shprehu “solidaritetin e plotë” me Estoninë dhe shtetet tjera të Aleancës, hapësira ajrore e të cilave është shkelur.
“Rusia duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për këto veprime, të cilat po përshkallëzohen, mbartin rrezikun e llogaritjes së gabuar dhe vënë në rrezik jetët. Këto veprime duhet të ndalen”, theksoi Këshilli i Atlantikut të Veriut.
Përgjigja e NATO-s, sipas Aleancës, do të mbetet “e fortë”. Për këtë arsye, më 12 shtator, Operacioni Eastern Sentry u nis për të forcuar pozicionin e NATO-s në krahun lindor, ndërsa po vazhdon përforcimi i aftësive dhe qëndrimit parandalues dhe mbrojtës, përfshirë mbrojtjen ajrore efektive.
Me një ton të ashpër, Këshilli i Atlantikut të Veriut theksoi se Rusia “nuk duhet të ketë asnjë dyshim: NATO dhe Aleatët do të përdorin, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe jo-ushtarake për të mbrojtur veten dhe për të penguar çdo kërcënim nga çdo drejtim. Angazhimi ynë ndaj Nenit 5 mbetet i palëkundur.”. Ata shtuan se do të vazhdojnë të përgjigjen në mënyrën, në kohën dhe në arenën që zgjedhin ata.
Për më tepër, NATO ka theksuar se veprimet e papërgjegjshme të Rusisë nuk do të ndikojnë në vendimin e aleatëve të mbështesin vazhdimisht Ukrainën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



