Kërkohej për trafik droge, arrestohet 43-vjeçari me dy identitete
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka finalizuar një tjetër aksion të suksesshëm për lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar. Operacioni, i koduar “Operacionalja 74”, u zhvillua në Fier, ku u ndalua një shtetas i dyshuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike.
I arrestuari është E. Z., alias R. Z., 43 vjeç, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Gjykata e Cantalissetta-s në Itali i kishte caktuar më 1 shtator 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh ndërmorën veprime të koordinuara për identifikimin dhe ndalimin e 43-vjeçarit, i cili aktualisht ndodhet në pranga në pritje të procedurave të ekstradimit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të vijojë me procedurat për dorëzimin e tij tek autoritetet italiane.
Policia e Shtetit bën me dije se operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar do të vijojnë pa ndërprerje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



