Klani “KLAN”, Dhjusi dhe kunati i Bashës
Transaksionet milionëshe që ngrenë dyshime për një skemë pastrimi parash
Klani “KLAN” duket se nuk ka hequr kurrë dorë nga lidhjet me të djathtën politike, pavarësisht se zhvillimet e viteve të fundit e kanë detyruar të ndryshojë qëndrime dhe aleanca. Në qendër të një skeme që ngre pikëpyetje për mënyrën e qarkullimit të miliona eurove shfaqet emri i Dhjus Bushajt, i njohur si investitori i kompleksit “Lion Residence”, i cili, sipas këtij investigimi, rezulton në transaksione me Erion Isufin, kunatin e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në fokus janë një sërë transaksionesh me pasuri të paluajtshme në kompleksin “Lion Residence”, pranë Parkut të Liqenit në Tiranë.
Sipas të dhënave të siguruara, Erion Isufi ka blerë 2,143 metra katrorë njësi tregtare nga Dhjus Bushaj për një vlerë të deklaruar prej 4.6 milionë eurosh, ose rreth 2,100 euro për metër katror. Megjithatë, sipas vlerësimeve të tregut, e njëjta sipërfaqe vlerësohet të ketë një çmim minimal prej 10 deri në 15 milionë euro.
Më pas, Isufi ka shitur rreth 1,000 metra katrorë nga kjo sipërfaqe për afro 5 milionë euro, me një çmim mesatar prej rreth 5,000 euro për metër katror. Diferenca mes çmimit të deklaruar në blerje dhe atij të shitjes ngre dyshime serioze mbi mënyrën e realizimit të këtyre transaksioneve.
Sipas analizës së këtij investigimi, ekziston dyshimi se prona është blerë me një vlerë reale shumë më të lartë se ajo e deklaruar në aktet noteriale, ndërsa diferenca e pagesës mund të jetë kryer jashtë sistemit bankar. Në vijim, shitja e një pjese të sipërfaqes me çmimin real të tregut do të shërbente për futjen në sistemin bankar të fondeve të padeklaruara, duke realizuar kështu një skemë të dyshuar të pastrimit të parave.
Nëse një mekanizëm i tillë do të provohej nga organet ligjzbatuese, ai do të përbënte një nga format më klasike të fshehjes së origjinës së fondeve përmes transaksioneve të pasurive të paluajtshme.
Paralelisht me këto transaksione, Erion Isufi dhe bashkëshortja e tij, Stela Dhamo, rezultojnë të kenë ndërtuar një portofol pasurish me vlerë dhjetëra milionë euro. Mes tyre përmenden një vilë në Palasë, apartamente në kompleksin “Ambasador 2”, ambiente tregtare në “Lion Residence”, prona në zonën e ish-Bllokut, rezervime në kulla banimi, si edhe të paktën pesë vila në periferi të Tiranës.
Një pjesë e këtyre pasurive figurojnë të regjistruara edhe në emër të familjarëve, kryesisht në emër të nënës së Stela Dhamos. Po ashtu, çifti disponon llogari bankare me vlera shumë milionëshe. Sipas dyshimeve të ngritura në këtë investigim, fondet e depozituara në disa banka të nivelit të dytë mund të jenë përdorur si pjesë e një skeme për legalizimin e fondeve me burim të dyshuar.
Po sipas këtij investigimi, një pjesë e konsiderueshme e këtij kapitali është krijuar gjatë periudhës kur Lulzim Basha drejtonte Partinë Demokratike, ndërsa pretendohet se Erion Isufi luante rolin e administratorit të interesave financiare të lidhura me marrëdhëniet mes biznesit dhe politikës.
Këto pretendime kërkojnë verifikim dhe janë çështje që i takojnë hetimit nga organet kompetente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



