E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KLGJ kërkon të gjykojë fjalën e lirë!
Lajme

KLGJ kërkon të gjykojë fjalën e lirë!

Në vend që të qetësojë ndërgjegjen publike pas vrasjes së një gjyqtari, Këshilli i Lartë Gjyqësor po zgjedh rrugën më të errët atë të heshtjes së detyruar. Me një vendim që i ngjan më shumë një akti politik sesa institucional, KLGJ kërkon bashkëpunim me AMA-n dhe AKEP-in për “të ndaluar gjuhën e papërshtatshme ndaj gjyqtarëve”. Fjali që tingëllon si kujtesë nga koha kur censura kishte zyrë, zë dhe vulë shtetërore.

Në thelb, ky është një atentat ndaj fjalës së lirë, një përpjekje për t’u mbyllur gojën qytetarëve që kanë guximin të pyesin pse drejtësia ka dështuar, pse korrupsioni gjyqësor është kthyer në rregull, dhe pse viktimat e këtij sistemi janë gjithmonë të njëjtët njerëzit pa pushtet.

Në vend që të kërkojë se ku ka dështuar siguria në gjykata, pse mungojnë masat mbrojtëse dhe pse një gjyqtar humbi jetën, KLGJ zgjedh të ndëshkojë kritikët, jo problemet. Fjalën e “papërshtatshme” e kthen në krim moral, ndërsa heshtjen në virtyt institucional. Kjo nuk është drejtësi – është një karikaturë e saj.

AMA dhe AKEP, të cilat nuk kanë asnjë mandat kushtetues për të gjykuar përmbajtjen e mediave apo rrjeteve sociale, rrezikojnë të kthehen në zgjatime të një aparati që kërkon kontroll, jo transparencë. Një shkelje e pastër e ndarjes së pushteteve dhe një alarm i kuq për lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Nëse kjo frymë ecën përpara, nesër mund të quhet “gjuhë e papërshtatshme” çdo titull që përmend fjalët “korrupsion”, “abuzim”, apo “pa drejtësi”. Dhe ashtu, nën maskën e “etikës”, drejtësia do të bëhet e vetmja kastë që nuk mund të preket, nuk mund të pyetet dhe nuk mund të kritikohët.

Në vend që të forcojë gjykatat, KLGJ po tenton të dobësojë shoqërinë.

Një drejtësi që ka frikë nga fjala nuk është drejtësi  është pushtet i trembur që kërkon të mbrohet nga pasqyra. Dhe kur drejtësia fillon të gjykojë fjalën, vendi s’është më në rrugën e Europës, por në kthesën e errët të autokracisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.