Gjykata e Lartë refuzon tryezën e Ramës për pagat e magjistratëve
Gjykata e Lartë nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama për datën 28 shtator, ku pritet të diskutohet skema e re e pagave të magjistratëve.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i ka kthyer përgjigje Kryeministrisë duke bërë të ditur se institucioni që drejton nuk do të përfaqësohet në takimin e planifikuar. Megjithatë, Sadushi thekson se mbetet i hapur për një dialog institucional, por me një objekt më të gjerë dhe me fokus te funksionimi i sistemit të drejtësisë dhe qytetari.
Në përgjigjen e tij, Sadushi rikujton qëndrimin që kishte mbajtur edhe në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. Sipas tij, që prej momentit kur është dërguar ftesa për tryezën ka ndodhur një zhvillim i ri institucional: ligji i miratuar për pagat e magjistratëve është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Për këtë arsye, kreu i Gjykatës së Lartë argumenton se diskutimi mbi të njëjtën çështje në një tryezë institucionale, ndërkohë që ajo ndodhet për shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese, nuk do të sillte një rezultat të ri.
“Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut”, shprehet Sadushi në përgjigjen drejtuar Kryeministrisë.
Ai shton se për një çështje kushtetuese që tashmë është para gjykimit, vendimmarrja i takon Gjykatës Kushtetuese dhe se një dialog mbi këtë objekt do të ishte më efektiv pasi kjo gjykatë të ketë dhënë qëndrimin e saj.
Sipas Sadushit, pjesëmarrja në një takim që do të kishte të njëjtin objekt me çështjen e depozituar në Gjykatën Kushtetuese do të kufizohej në përsëritjen e qëndrimeve tashmë të bëra publike.
Megjithatë, përgjigjja e tij nuk është një refuzim i dialogut institucional në përgjithësi. Përkundrazi, Sadushi propozon një tryezë me një agjendë më të gjerë, ku të diskutohen funksionimi dhe konsolidimi i sistemit të drejtësisë, si edhe problematikat që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
“Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar”, shkruan ai.
Sadushi propozon që një tryezë e tillë të jetë një dialog ndërmjet pushteteve dhe të ketë qytetarin në qendër.
Përplasja për pagat e magjistratëve
Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve është shoqëruar gjatë muajve të fundit me përplasje institucionale mes pushtetit ekzekutiv, institucioneve të drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve.
Sipas qëndrimit të shprehur nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, shumica parlamentare nuk ndërmori brenda afatit të përcaktuar masat e nevojshme për miratimin e një formule të re pagash, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë situatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë morën vendime për përcaktimin e nivelit të pagave për muajin gusht, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ministria e Financave nuk miratoi veprimet e Thesarit për ekzekutimin e pagave sipas këtyre vendimeve, duke e çuar çështjen në një përplasje të hapur institucionale.
Shoqatat e magjistratëve iu drejtuan SPAK-ut me kallëzim ndaj ministrit të Financave, ndërsa çështja u dërgua edhe në gjykatën administrative. Kjo e fundit urdhëroi anulimin e vendimit të ministrit dhe vijimin e procedurave për kalimin e pagave për gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin.
Ndërkohë, më 18 shtator, Kuvendi miratoi me 84 vota formulën e re për pagat e magjistratëve. Sipas formulës së miratuar, paga referuese e magjistratëve përcaktohet në masën 38% të pagës së Presidentit të Republikës, nga 36% që ishte më parë. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 8,500 lekësh të pagës referuese.
Vetëm tre ditë më vonë, më 21 shtator, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e formulës së re të miratuar nga Kuvendi dhe shfuqizimin e saj.
Në këto kushte, Gjykata e Lartë ka zgjedhur të mos marrë pjesë në tryezën e thirrur për pagat, duke argumentuar se çështja tashmë ndodhet para Gjykatës Kushtetuese.
Dy ditë përpara takimit, Kryeministria i kishte dërguar Gjykatës së Lartë një komunikim tjetër për të marrë konfirmimin e pjesëmarrjes. Deri në atë moment, sipas të dhënave të bëra publike, konfirmim pozitiv kishte dhënë vetëm kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.
Përgjigjia e Kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, dërguar kryeministrisë më datë 26 shtator 2026
“Mirëmëngjes,
Në vijim të komunikimit tuaj të djeshëm për konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 28 shtator, dëshiroj të rikujtoj qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve.
Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur.
Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta.
Kjo nuk e mbyll hapësirën e dialogut institucional. Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar.
Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër.
Me konsideratë,
Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



