E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KLGJ nuk lejon motrën e Belinda Ballukut të bëhet gjyqtare
Lajme

KLGJ nuk lejon motrën e Belinda Ballukut të bëhet gjyqtare

Rrëzohet kërkesa e Pamela Qirkos

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë një vendim të fortë, duke rrëzuar kërkesën e Pamela Qirkos për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Qirko, e njohur edhe si ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), mbetet jashtë sistemit të Apelit pas përfundimit të mandatit të saj në institucionet e vetingut.

Ajo ishte pjesë e një grupi prej 10 juristësh që vinin nga strukturat e rivlerësimit kalimtar dhe synonin të vijonin karrierën në gjyqësor, por vendimi i KLGJ i ka bllokuar për momentin të gjithë.

Në mbledhjen plenare të zhvilluar më 10 korrik 2026, Këshilli vendosi të mos japë miratimin për emërimin e tyre në shkallën e dytë të gjyqësorit, duke rrëzuar kërkesat jo vetëm të Qirkos, por edhe të nëntë ish-anëtarëve të tjerë të KPK: Suela Zhegu, Firdes Shuli, Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia.

Vendimi konsiderohet një sinjal i qartë për standardet dhe filtrat që po aplikohen në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Apelit, duke i lënë jashtë për momentin një grup të tërë ish-funksionarësh të rëndësishëm të procesit të vetingut.

Gjatë së njëjtës mbledhje, KLGJ trajtoi edhe një sërë çështjesh të tjera, përfshirë vlerësime etike dhe profesionale të gjyqtarëve, procedime disiplinore, si dhe vendime mbi delegime dhe ricaktime në sistemin gjyqësor.

Ndër vendimet kryesore ishte miratimi i raportit të vlerësimit për gjyqtaren Brunilda Kadi për vitin 2024, si dhe shtyrja e shqyrtimit për vlerësimin e gjyqtarit Adrian Shega për periudhën 2021–2023. Po ashtu, u vendos caktimi me short i relatorit për një procedim disiplinor ndaj një gjyqtareje në Gjykatën e Gjirokastrës, si dhe zgjatja dhe ricaktimi në detyrë i gjyqtarit Sokol Ibi në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli gjithashtu shpalli të përfunduar pa vendim përfundimtar një procedurë verifikimi për një kandidate në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2026–2027, ndërsa shtyu shqyrtimin për një projektvendim që lidhet me rishpërndarjen e fondeve buxhetore në sistemin gjyqësor.

Në përfundim të mbledhjes, u miratuan edhe procesverbalet e mbledhjeve të mëparshme të datave 29 prill dhe 6 maj 2026.

Njoftimi:

Sot, më datë 10.07.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Brunilda Kadi, për vitin 2024.

Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. Adrian Shega për periudhën 2021-2023”.

Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 1/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Ibi.

Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Sokol Ibi, në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesave, për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për:

znj. Suela Zhegu;
znj. Firdes Shuli;
znj. Alma Faskaj;
znj. Brunilda Bekteshi;
znj. Pamela Qirko;
z. Olsi Komici;
znj. Valbona Sanxhaktari;
znj. Xhensila Pine;
znj. Etleda Çiftja;
z. Roland Ilia.
Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin znj. Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.

Më tej, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në programin e formimit fillestar, në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2026-2027, profili ndihmës ligjor, znj. Kledjana Llalla.

Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, buxheti i gjykatave, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2026”.

Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.