E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KLSH gjen shkelje në tenderin 500 mijë € në Vlorë, përjashtohet kompania “Asi-2A”
Investigim

KLSH gjen shkelje në tenderin 500 mijë € në Vlorë, përjashtohet kompania “Asi-2A”

Një tender me fond limit rreth 500 mijë euro për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Vlorë është kthyer në objekt kritikash pas konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe masës së marrë më pas nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Në qendër të çështjes është kompania “Asi-2A Co”, në pronësi të vëllezërve Astrit dhe Andrea Gjikondaj, e cila ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit nga Bashkia e Vlorës.

Sipas gjetjeve të auditimit, kompania kishte paraqitur në dokumentacionin e tenderit një drejtues teknik dhe disa mjete si të disponueshme në mënyrë ekskluzive për zbatimin e kontratës. Megjithatë, gjatë verifikimeve, KLSH konstatoi se këto burime ishin angazhuar njëkohësisht edhe në projekte të tjera.

Për audituesit, deklarimi i kapaciteteve si ekskluzivisht të disponueshme, ndërkohë që ato rezultonin të përdorura në kontrata të tjera, përbënte keqinformim në procesin e prokurimit dhe ishte në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për pjesëmarrjen në tendera publikë.

KLSH e referoi rastin te Prokurimi Publik

Pas konstatimit të parregullsive, KLSH e referoi çështjen pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, duke kërkuar marrjen e masave administrative ndaj operatorit ekonomik.

Nga ana tjetër, Bashkia e Vlorës i kishte konsideruar devijimet e konstatuara si të vogla dhe pa ndikim në zbatimin e kontratës, duke mos i konsideruar ato të mjaftueshme për skualifikimin e kompanisë.

Qëndrimi i institucionit vendor është vënë në pikëpyetje nga vendimmarrja e mëvonshme e APP-së.

APP përjashton kompaninë për 12 muaj

Pas shqyrtimit të rastit, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi përjashtimin e “Asi-2A Co” për 12 muaj nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik.

Sipas APP-së, kompania kishte dhënë informacion të pasaktë me qëllim kualifikimin në procedurën për rikonstruksionin e shkollës “Avni Rustemi”.

Vendimi sjell në vëmendje mënyrën se si është administruar dhe vlerësuar oferta fituese në këtë tender nga Bashkia e Vlorës, e drejtuar në atë kohë nga Ermal Dredha.

Në veçanti, mbetet për t’u sqaruar se si u verifikuan dokumentet dhe kapacitetet e deklaruara nga operatori ekonomik përpara shpalljes së tij fitues.

Ndërkohë, deri tani nuk është bërë e qartë nëse rasti është referuar për ndjekje penale për veprime që mund të lidhen me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në një procedurë prokurimi publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.