Koçeku sulmon mazhorancën: U keni kthyer shpinën qytetarëve
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me debatin për reformën territoriale dhe qëndrimet e disa deputetëve socialistë që kanë shprehur kundërshtime ndaj projektligjit.
Në deklaratën e saj, Koçeku tha se deputetët e Partisë Socialiste që janë pozicionuar kundër reformës nuk duhet të etiketohen si “rebelë”. Sipas saj, përgjegjësia qëndron te vetë forca politike, për të cilën pretendon se është larguar nga interesat e qytetarëve.
“Deputetët e PS-së që kanë dalë kundër reformës territoriale duhet ta dinë se nuk janë ata rebelët. Partia e tyre është rebele, që i ka kthyer shpinën qytetarëve”, deklaroi Koçeku.
Më tej, deputetja e pavarur u ndal te komunitetet periferike, duke kërkuar që ndryshimet territoriale të mos shoqërohen me braktisjen e tyre.
Koçeku vlerësoi qëndrimin e deputetëve socialistë që kundërshtojnë projektligjin, duke e cilësuar atë si përmbushje me dinjitet të detyrës së tyre.
“Nëse edhe sot të njëjtët deputetë e kundërshtojnë projektligjin e territoriales, e kanë kryer me dinjitet detyrën e vet. Komunitetet periferike janë komunitete në nevojë. Mos i braktisni ato, siç i ka braktisur partia juaj!”, u shpreh ajo.
Deklarata vjen në një kohë kur reforma e re territoriale ka hapur debat edhe brenda shumicës, veçanërisht për mënyrën se si ndryshimet e propozuara do të ndikojnë te komunitetet dhe njësitë vendore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



