E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kompania që do ndërtojë në ishullin e Sazanit, reagon pas protestave në Tiranë
Lajme

Kompania që do ndërtojë në ishullin e Sazanit, reagon pas protestave në Tiranë

Kompania që qëndron pas projektit turistik në ishullin e Sazanit ka dalë për herë të parë me një reagim publik, në një kohë kur investimi po shoqërohet me debate të forta dhe protesta qytetare.

Në një deklaratë të publikuar më 12 qershor në platformën X nga faqja “Sazan Coast”, drejtori i kompanisë Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, theksoi se puna për këtë projekt ka nisur prej katër vitesh, me synimin për të krijuar një destinacion elitar në bregdetin shqiptar.

Sipas tij, zhvillimi është konceptuar mbi parime të qëndrueshme, duke përfshirë një qasje të kujdesshme ndaj dizajnit, ruajtjen e mjedisit dhe krijimin e mundësive ekonomike afatgjata për zonën.

Abehsera nënvizoi se projekti synon të vërë në pah bukuritë natyrore të Shqipërisë, të gjenerojë punësim dhe të ndërtojë një model zhvillimi që do të ketë ndikim pozitiv për brezat e ardhshëm.

Ai gjithashtu theksoi se ecuria e mëtejshme e investimit do të varet nga vendimmarrja e institucioneve dhe vetë qytetarëve shqiptarë.

Reagimi i kompanisë vjen në një moment të ndjeshëm, kur projektet në Sazan dhe Zvërnec kanë hasur në kundërshti nga një pjesë e opinionit publik dhe grupeve të shoqërisë civile, të cilat kanë organizuar protesta kundër ndërhyrjeve në këto zona.

Më herët, Abehsera ka mbrojtur publikisht projektin edhe në media ndërkombëtare, duke theksuar se fokusi kryesor i zhvilluesve mbetet menaxhimi i përgjegjshëm, përmirësimi i mjedisit dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale.

Në të njëjtën linjë, edhe Ivanka Trump, e përfshirë në këtë investim së bashku me bashkëshortin e saj Jared Kushner, e ka cilësuar projektin si një nga më ambiciozët në karrierën e saj.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka garantuar në mënyrë të përsëritur se ishulli i Sazanit do të mbetet pronë publike dhe nuk do të kalojë në proces privatizimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.