OCCRP kritikon financimin e koncertit të Kanye West në Tiranë
Spektakël politik me para publike, për të mbytur protestat kundër qeverisë
OCCRP, rrjeti ndërkombëtar jofitimprurës i përbërë nga media dhe qendra investigative, ka reaguar në lidhje me financimin prej rreth 4 milionë eurosh nga qeveria shqiptare për koncertin e reperit Kanye West, i mbajtur më 11 korrik në Tiranë.
Në një deklaratë, OCCRP thekson se vendimi për të financuar këtë koncert ka ngjallur kritika të forta publike, në një kohë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar për javë me radhë.
Sipas OCCRP, kritikët e konsiderojnë këtë financim si një strategji të tipit “bukë dhe cirk”, që synon të largojë vëmendjen nga protestat kundër korrupsionit dhe zhvillimeve të fundit politike në vend.
“Kritikët thonë se qeveria e kryeministrit Edi Rama po e shndërron një koncert të Ye (ish-Kanye West), të financuar publikisht, në një spektakël politik që mund të ndihmojë në errësimin e javëve të protestave antiqeveritare në Tiranë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OCCRP.
Sipas raportimit, qeveria shqiptare miratoi 400 milionë lekë, ose rreth 4.9 milionë dollarë, nga fondi rezervë i shtetit për të mbështetur koncertin e zhvilluar më 11 korrik. Këto fonde u parashikuan të transferoheshin te Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, për atë që autoritetet e përshkruan si një ngjarje kulturore dhe turistike me synim promovimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Shkrimtari dhe komentatori publik Fatos Lubonja, në një deklaratë për partnerin e OCCRP, Shteg.org, e ka cilësuar këtë vendim si pjesë të një modeli qeverisjeje “bukë dhe cirk”, ku fondet publike përdoren për argëtim në një kohë kur vendi përballet me probleme më të thella.
“Ndoshta ai po e bën këtë edhe për t’iu kundërvënë kësaj proteste, për të organizuar një shfaqje të madhe në mënyrë që njerëzit të thonë: ‘Shikoni sa njerëz u mblodhën atje’”, është shprehur Lubonja.
Ai gjithashtu ka vënë në pikëpyetje arsyen pse shteti duhet t’i japë miliona dollarë një kompanie private për një artist komercial, i cili, sipas tij, nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit, duke e cilësuar financimin si një skandal dhe duke e krahasuar me vendime të tjera të diskutueshme të shpenzimeve publike.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare e ka mbrojtur këtë vendim, duke e konsideruar si një investim në turizëm. Në një memorandum shpjegues të shqyrtuar nga OCCRP dhe Shteg.org, zyrtarët argumentojnë se koncerti nuk duhet parë thjesht si një event privat, pasi pritet të tërheqë vizitorë të huaj dhe të sjellë përfitime ekonomike për sektorë të ndryshëm, përfshirë hotelet, transportin dhe shërbimet.
Sipas dokumentit, kompania Redcloud i kërkoi mbështetje financiare ministrisë më 3 korrik, duke paralajmëruar se eventi ishte në rrezik për shkak të kostove shtesë dhe se procedurat e zakonshme nuk mund të përfundonin në kohë. Po ashtu, theksohet se rreth 70% e biletave ishin blerë nga shtetas të huaj.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur publikisht vendimin, duke deklaruar se financimi ishte i nevojshëm për të shmangur një situatë të sikletshme për Shqipërinë përballë rreth 25 mijë vizitorëve të huaj që kishin blerë bileta, si dhe duke pretenduar se eventi mund të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura nga turizmi.
Gazetarja Elsa Demo e ka cilësuar financimin si pjesë të një modeli më të gjerë politik, ku kultura trajtohet si spektakël dhe përdoret për të ndikuar perceptimin publik, duke larguar qytetarët nga angazhimi aktiv.
Ndërkohë, ekonomisti Zef Preçi ka kundërshtuar bazën ligjore dhe urgjencën e vendimit, duke theksuar se koncerti ishte njoftuar më herët dhe se çdo mbështetje financiare duhej të kalonte përmes një procesi transparent dhe konkurrues, jo përmes mekanizmave emergjentë.
Debati për këtë çështje zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa Tirana ka përjetuar protesta të përditshme për më shumë se një muaj. Fillimisht, këto protesta nisën kundër një projekti turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, dhe më pas u zgjeruan në reagime më të gjera ndaj korrupsionit, zhvillimit urban dhe menaxhimit të zonave të mbrojtura.
Sipas OCCRP, hetimet e mëparshme kanë treguar se prokurorët shqiptarë kanë ngrirë asete të lidhura me projektin turistik, ndërsa dokumente gjyqësore të lidhura me hetime për trafik droge kanë përkuar me hetimet mbi tokën ku parashikohej zhvillimi. Kryeministri Rama i ka mohuar këto akuza.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve dhe kompania Redcloud nuk kanë dhënë përgjigje për pyetjet e ngritura nga Shteg.org lidhur me arsyet e financimit dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Ndërkohë, Kanye West mbetet një figurë kontroverse në skenën ndërkombëtare, pasi i është ndaluar të performojë në disa vende evropiane për shkak të deklaratave të diskutueshme dhe përmbajtjeve të lidhura me simbole naziste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



