Kryeministri i Greqia, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se do të intensifikojë luftën kundër asaj që ai e cilëson si “shteti i thellë”, pas shpërthimit të një skandali të madh me fondet e subvencioneve bujqësore që ka tronditur skenën politike në vend.
Në një fjalim të transmetuar në televizionin publik, ai e cilësoi situatën si një moment vendimtar për reformimin e shtetit, duke theksuar se ky zhvillim ka përforcuar angazhimin e tij për të çrrënjosur korrupsionin dhe praktikat klienteliste që, sipas tij, kanë shoqëruar për vite me radhë administratën greke.
Skandali në fjalë lidhet me rreth 300 milionë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes një agjencie shtetërore tashmë të shpërbërë, përgjatë një periudhe pesëvjeçare që nis në vitin 2017. Hetimet kanë zbuluar skema të ndryshme mashtrimi, ku përfshihen deklarime fiktive të tokave bujqësore, përfshirë pretendime absurde si plantacione bananesh në zonën e Malit Olimp, ullishte të raportuara mbi baza ushtarake apo edhe zona arkeologjike të paraqitura si kullota.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në politikën greke, duke nxitur thirrje për zgjedhje të parakohshme. Nga ana e tij, Mitsotakis është përpjekur të distancojë qeverinë aktuale nga origjina e skemës, duke theksuar se ajo ka nisur dy vite përpara se ai të merrte detyrën në vitin 2019.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka nisur hetime ndaj 20 anëtarëve të partisë në pushtet, Neo Democracia, dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për 11 deputetë. Mes emrave të përfshirë janë edhe ish-ministri i Bujqësisë, Konstantinos Tsiaras, si dhe ish-ministri i Mbrojtjes Civile, Ioannis Kefalogiannis, të cilët kanë dhënë dorëheqjen ditët e fundit.
Sipas materialeve hetimore, përfshirë përgjime telefonike, dyshohet se disa politikanë kanë ndërhyrë për të siguruar përfitime financiare për mbështetësit e tyre, ndërsa akuzat përfshijnë shpërdorim detyre, mashtrim dhe falsifikim me qëllim përfitimi.
Mitsotakis ka kërkuar që hetimet të zhvillohen me shpejtësi dhe transparencë, duke theksuar se të gjithë të përfshirët duhet të kenë mundësinë të mbrojnë veten përballë akuzave, ndërkohë që ka pranuar se çështja ka sjellë pasoja të rënda politike dhe personale.
Megjithatë, reagimet nga akademikë dhe analistë politikë kanë qenë kritike. Ata e kanë cilësuar fjalimin e tij si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe për të menaxhuar dëmin politik, sidomos duke qenë se kjo është hera e dytë që qeveria detyrohet të ristrukturojë kabinetin për shkak të të njëjtit skandal.






