E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kosova reagon pas arrestimit  të  një shtetasi kosovar nga Serbia në Merdarë : Vendim arbitrar
Lajme

Kosova reagon pas arrestimit të një shtetasi kosovar nga Serbia në Merdarë : Vendim arbitrar

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka dënuar si arbitrar arrestimin e një shtetasi kosovar nga autoritetet serbe të shtunën, duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm. Në një komunikatë për media, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovë në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi për media të shtunën pasdite për arrestimin e Mustafës. Ministria kosovare tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare gjithashtu të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb “për këto veprime arbitrare dhe destruktive, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”. MPJD-ja shtoi se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, “nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe”. Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se i ka njoftuar menjëherë vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftim. Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij. Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj. Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli. Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.