E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KPK: Prokurori Pelivan Malaj kishte mungesa të mëdha burimesh
Publik News

KPK: Prokurori Pelivan Malaj kishte mungesa të mëdha burimesh

Në vendimin e arsyetuar, Komisioni thekson se Malaj nuk ka qenë gjithmonë bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit, duke mos i’u përgjigjur drejtpërdrejt të gjitha pyetjeve të dërguara gjatë hetimit administrativ si edhe nuk ka depozituar në kohë dokumentacionin e kërkuar.

Sipas KPK-së, prokurori Malaj nuk ka pasur mundësi financiare për shylerjen e çmimit të një apartamenti me sipërfaqe 120 m2 në Vlorë, blerë më 31 janar 2005 për vlerën 31 mijë dollarë. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti të përfituar më parë nga privatizimi dhe nga puna e tij si avokat.

Komisioni ka analizuar të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit dhe ka arritur në përfundimin se Malaj ka përfituar 1.9 milionë lekë nga shitja dhe jo 2.7 milionë lekë, siç është shënuar në deklaratën e pasurisë.

Në vendim thuhet se subjeki ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e përfituar nga ky transaksion, pasi nuk arriti të provojë shitjen e apartamentit të mëparshëm me një çmim më të lartë nga ai i përcaktuar në kontratë, si dhe pagesën e detyrimeve tatimore për të ardhurat e pretenduara. Nga hetimi ka rezultuar se edhe të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i profesionit të avokatit nuk kanë qenë të mjaftueshme për shlyerjen e çmimit të apartamentit në shumën 31 mijë dollarë.

Trupi gjykues ka konstatuar fillimisht se subjekti nuk justifikonte të ardhurat e pretenduara nga aktiviteti i avokatisë, pasi nuk janë gjendur të dhëna të regjistrimit të tij si tatimpagues.

Pasi Malaj ka dorëzuar prova të reja, KPK ka kryer përllogaritje në mënyrë alternative për të ardhurat e mundshme. Nga kjo përllogaritje, Komisioni konkludon se qarkullimi i realizuar nga Malaj për periudhën 1994 – 2002 ka qenë në shumën 8 milionë e 963 mijë lekë. Marzhi i fitimit neto është përllogaritur në masën 80% të qarkullimit.

Veç shpenzimeve të jetesës, në analizë është përfshirë edhe vlera e ndërtimit të një zyre avokatie me sipërfaqe 20 m2 në vitin 1997 në shumën 700 mijë lekë.

Nga analiza financiare përfundimtare e kryer lidhur me mundësinë e subjektit për blerjen e apartamentit në vitin 1999, ka rezultuar balancë negative në shumën 3,9 milionë lekë.

Malaj ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për pagesën e këstit të parë të një apartamenti me sipërfaqe 75 m2 të porositur në vitin 2005 pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, të blerë për shumën 45 mijë  euro, pasuri për të cilën ka deklaruar se e ka shitur në janar të vitit 2017 kundrejt vlerës 7.5 milionë lekë.

Nga analiza financiare ka rezultuar se Malaj ka qenë në pamundësi finanaciare në shumën 872 mijë lekë për të justifikuar plotësisht pagesën e këstit të parë në shumën prej 9 mijë euro, në prill të vitit 2005.

KPK konkludon se Malaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një autoveturë tip “Jaguar” të blerë nga djali i tij në tetor të vitit 2013, kundrejt vlerës 6 mijë e 500 euro dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Prokurori Malaj ka deklaruar se djali i tij, E.M. e ka blerë makinën me të ardhurat e tij si avokat dhe se ai ka përfituar nga ky profesion 9.6 milionë lekë për periudhën 2007 – 2015. Por nga hetimi ka rezultuar se djali i subjektit nuk ka qenë i regjistruar për ushtrimin e aktivitetit si avokat përpara vitit 2014.

Trupi gjykues vlerëson se Malaj ka kryer deklarim të rremë dhe të pamjaftueshëm në deklaratën veting lidhur me të ardhurat e pretenduara si të përfituara prej djalit nga puna si avokat. /BIRN

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.