Kreu i AIF ngre alarmin: Ndërtimi, “magnet” për pastrimin e parave
Ndërtimi vijon të konsiderohet një nga sektorët me ekspozimin më të lartë ndaj rrezikut të pastrimit të parave në Shqipëri. Kreu i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, e bëri këtë deklaratë gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike për projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Sipas Koçit, zhvillimi i lartë i sektorit të ndërtimit në vend e bën atë një fushë ku mund të tentojnë të hyjnë edhe persona që disponojnë burime të jashtëligjshme financiare.
“Ndërtimi është sektor me risk të lartë”, deklaroi Koçi, duke argumentuar se Shqipëria ka një treg financiar të kufizuar dhe se ndërtimi mbetet ndër sektorët më të zhvilluar të ekonomisë.
Sipas tij, individët që disponojnë të ardhura me origjinë të paligjshme mund të përpiqen t’i orientojnë ato drejt këtij sektori. Megjithatë, kreu i AIF theksoi se sistemi financiar vendos barriera ndaj futjes së parave të paligjshme në qarkullimin formal.
Koçi solli edhe të dhëna nga analizat e institucionit që drejton. Ai bëri të ditur se nga 269 raste të referuara në kuadër të analizave përkatëse, mbi 100 kanë lidhje me pasuritë e paluajtshme.
“Përsa i përket sektorit të ndërtimit, kam analizë të detajuar. Ato që përmenda, 269 raste, në mbi 100 raste janë që kanë të bëjnë me pasuri të paluajtshme”, u shpreh ai.
Deklaratat u bënë gjatë shqyrtimit të projektligjit që synon forcimin e masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa sektori i ndërtimit mbetet një prej fushave të përmendura për ekspozimin ndaj këtij rreziku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



