Kreu i Bashkisë Kukës Albert Halilaj paditet në SPAK!
Nuk deklaroi një shtëpi në qendër të Tiranës
Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, po përballet me një kallëzim në SPAK për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë mbi tarifat vendore dhe për mospasqyrimin e një apartamenti e një vendi parkimi në deklaratat e pasurisë.
Sipas informacionit të Publik.al, ndaj tij është depozituar kallëzim në SPAK për çështjen e vendimit gjyqësor.
Vendimmarrja gjyqësore, ndërkohë, konfirmohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Më 18 qershor 2025, Kolegji Administrativ pranoi padinë e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, AREA, kundër Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak Kukës. Gjykata ndryshoi vendimin e Apelit Administrativ dhe shfuqizoi pikën II.4.2 të tri vendimeve të Këshillit Bashkiak: nr. 53, datë 24 dhjetor 2019; nr. 166, datë 23 dhjetor 2020; dhe nr. 70, datë 24 dhjetor 2021. Pala e paditur u urdhërua gjithashtu të publikonte vendimin sipas ligjit. Burimi: Gjykata e Lartë.
Objekti i vendimmarrjes është i përcaktuar: shfuqizimi i dispozitave konkrete të këtyre akteve, jo i të gjitha taksave dhe tarifave vendore.
Bashkia nuk e ka zbatuar vendimin, siç rezulton nga dokumentet e administrimit të tarifave pas tij. Publikimi i vendimit, njoftimet e detyrimeve dhe faturimet ndaj subjekteve të prekura janë provat që tregojnë se dispozitat e shfuqizuara kanë vijuar të prodhojnë pasoja.
Tri aktet janë miratuar përpara mandatit të Halilajt. Në deklaratat e tij shënohet 16 tetori 2023 si data e emërimit në funksion. Përgjegjësia e pretenduar gjatë mandatit të tij lidhet, për rrjedhojë, me mënyrën se si është vepruar pas vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë.
Albert Halilaj fshehu një shtëpi në qendër të Tiranës

Hulumtimi i Publik.al shtrihet edhe te interesat pasurore të kryebashkiakut.
Një faturë e Ujësjellës Kanalizime Tiranë për tetorin 2025 mban emrin “Albert Bislim Halilaj” dhe një adresë banimi në rrugën “Besim Imami”, në kryeqytet. Përveç shërbimit të ujësjellësit, dokumenti përmban edhe taksën mbi ndërtesën.
Verifikimi i gazetarit të Publik.al nuk është kufizuar te faturat e shërbimeve. Pas konfirmimit të faturave të UKT-së dhe OSHEE-së në emër të Albert Halilajt, gazetari verifikoi në Kadastër edhe kontratën e tij me firmën ndërtuese. Sipas verifikimit të redaksisë, dokumentacioni ndodhet në procedurë për vërtetimin e pronësisë.
Kontrata dokumenton një marrëdhënie kontraktore të Halilajt me firmën ndërtuese për banesën, duke e mbështetur gjetjen përtej ekzistencës së një abonimi për ujë dhe energji elektrike.




Në faqet e shqyrtuara të deklaratave periodike për vitet 2023, 2024 dhe 2025, kjo marrëdhënie kontraktore nuk identifikohet. Kreu i Bashkisë Kukës tashmë gjendet përballë një fakti të rëndë lidhur me mosdeklarimin: data dhe përmbajtja e kontratës u ballafaquan nga Publik.al me deklarimet e plota, përfshirë deklaratën para fillimit të detyrës. Banesa në qendër të Tiranës nuk përfshihet në tri deklarimet e kreut të Bashkisë Kukës, Albert Halilaj.
Publik.al ka shqyrtuar pamje të deklaratave periodike për tri vite. Deklarata për vitin 2023 mban datën e dorëzimit 19 shkurt 2024; ajo për vitin 2024, datën 1 prill 2025; ndërsa deklarata për vitin 2025 është dorëzuar më 31 mars 2026.
Në faqet e paraqitura të rubrikës së ndryshimeve të pasurisë nuk shfaqet apartamenti në Tiranë dhe as vendi i parkimit i përmendur në informacionin e redaksisë.
Deklarimi i vitit 2023 pasqyron shitjen e një automjeti me vlerë 13.130 euro, gjendje cash prej 5.700 eurosh dhe një llogari bankare me balancë 900,32 lekë. Në detyrimet financiare figuron një kredi me principal të mbetur prej 6.302.504,97 lekësh.






Materialet e reja plotësojnë dokumentacionin me të dhëna për vitin 2025. Në faqen e deklaratës së Halilajt pasqyrohet pakësimi i gjendjes cash me 5.700 euro, një llogari me balancë 79,52 euro dhe pakësime të tjera bankare prej 1.500 eurosh dhe 766.198,94 lekësh.
Në rubrikën e detyrimeve financiare shfaqet një overdraft i filluar më 14 tetor 2025, me shumë totale prej 580.000 lekësh dhe detyrim të mbetur prej 566.364,38 lekësh. Për kredinë bankare deklarohet shlyerja e 1.293.175 lekëve, për principal dhe interesa, dhe një principal i mbetur prej 3.785.023,84 lekësh.
Këto shifra dokumentojnë ndryshime financiare të deklaruara. Ato nuk provojnë se paratë janë përdorur për blerjen e apartamentit apo parkimit.
Në materialet e vitit 2025 përfshihen edhe faqe të deklaratës së bashkëshortes, Kozeta Halilaj, me ndryshime në llogaritë bankare, si dhe një formular i vajzës së kryebashkiakut. Në faqet e dukshme nuk identifikohet apartamenti ose parkimi i pretenduar.
Deklaratat periodike pasqyrojnë ndryshimet nga deklarimi i mëparshëm. Sipas verifikimit të Publik.al, apartamenti nuk figuron as në këto deklarime dhe as në deklaratën para fillimit të detyrës. Redaksia i ka ballafaquar deklarimet me aktet që përcaktojnë pronarin, datën e përfitimit, vlerën dhe burimin e financimit.
Edhe për vendin e parkimit nuk ka deklarim nga kreu i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



