Kreu i FIFA-s bëhet ‘pishman’, Infantino i hap derën e rikthimit Rusisë
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ndezur debat të fortë në arenën ndërkombëtare të sportit, duke deklaruar se organizmi më i lartë i futbollit botëror duhet të rishqyrtojë pezullimin e Rusisë nga garat ndërkombëtare.
Gjatë një deklarate publike të bërë të hënën, Infantino u shpreh kundër politikës së përjashtimeve dhe bojkoteve në sport, duke theksuar se këto masa nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
“Duhet patjetër të shqyrtojmë rikthimin e Rusisë. Ky përjashtim nuk ka arritur asgjë konkrete, përveçse ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje. Unë jam kundër përjashtimeve dhe bojkotit, sepse ato vetëm sa ushqejnë ndasi dhe tensione”, deklaroi Infantino.
Rusia u përjashtua nga FIFA në dimrin e vitit 2022, menjëherë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, si pjesë e sanksioneve sportive të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar. Vendimi ndaloi ekipet ruse të marrin pjesë në të gjitha turnetë ndërkombëtare të organizuara nga FIFA.
Megjithatë, që nga viti 2023, disa përjashtime janë bërë për ekipet e moshave të reja, të cilat janë lejuar të rikthehen gradualisht në kompeticione, duke sinjalizuar një qasje më fleksibël nga organizmi botëror i futbollit.
Deklarata e Infantinos pritet të shkaktojë reagime të forta, veçanërisht nga vendet që kanë mbështetur pezullimin e Rusisë, ndërsa hap një debat të ri mbi rolin e sportit në konfliktet politike dhe ndikimin real të sanksioneve sportive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



