Kreu i SPAK zbulon se çfarë po ndodh me “21-Janarin” dhe “Gërdecin”
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka dhënë detaje të reja mbi ecurinë e hetimeve për dy nga ngjarjet më të rënda në vend, atë të 21 Janarit 2011 dhe tragjedinë e Gërdecit.
Duke u ndalur te dosja e 21 Janarit, Braho bëri të ditur se SPAK është ende në pritje të një ekspertize të rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për analizimin e një audio-regjistrimi që përmban komunikimet në radion e Gardës së Republikës gjatë protestës, ku dyshohet se është dhënë edhe urdhri për të qëlluar ndaj protestuesve.
“Ne kemi dërguar letërporosinë, por ende nuk kemi marrë përgjigjen me ekspertizën nga SHBA,” deklaroi Braho, duke lënë të kuptohet se ky material mund të jetë kyç për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sa i përket hetimeve për çështjen e Gërdecit, Braho theksoi se ato vijojnë të jenë aktive. Sipas tij, janë ndërmarrë veprime hetimore si brenda vendit, ashtu edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me letërporosi.
“Hetimet janë në vijim dhe çështja po trajtohet në mënyrë të vazhdueshme. Nuk kam detaje shtesë për momentin,” u shpreh ai.
Dy dosjet, që kanë tronditur opinionin publik ndër vite, mbeten ende në fokus të drejtësisë, ndërsa pritet që zhvillimet e ardhshme, veçanërisht ekspertiza ndërkombëtare, të hedhin më shumë dritë mbi përgjegjësit dhe rrethanat e këtyre ngjarjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



