Kriset Perëndimi, NATO kërcënon drejtpërdrejt SHBA-në
“Po morët Groenlandën, do marrim bazat amerikane në Europë”
Kryetari i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri, Gunther Fehlinger, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara, mes spekulimeve se ish-presidenti Donald Trump mund të rikthejë idenë e aneksimit të Groenlandës, duke mos përjashtuar as ndërhyrjen ushtarake.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Fehlinger deklaron se çdo përpjekje e SHBA-së për të marrë Groenlandën do të sillte pasoja të rënda për praninë ushtarake amerikane në Evropë. Sipas tij, një veprim i tillë do të çonte në konfiskimin e të gjitha bazave amerikane në territorin europian dhe në largimin e plotë të SHBA-së nga kontinenti.
Ai përmendi konkretisht baza strategjike si Aviano në Itali, Ramstein në Gjermani, si edhe bazat ushtarake në Rumani dhe vende të tjera, duke theksuar se SHBA do të humbiste pozicionin e saj dominues në Evropë, të ndërtuar që prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas Fehlinger, aneksimi i Groenlandës do të përbënte një vijë të kuqe për aleatët europianë dhe do të kërkonte reagim të menjëhershëm.
Deklarata u shpërnda gjerësisht në platformat X dhe Reddit dhe erdhi si reagim ndaj një postimi të konsideruar provokues të podkasteres së linjës MAGA, Katie Miller. Ajo kishte publikuar një imazh të Groenlandës të mbuluar me flamurin amerikan, të shoqëruar me mbishkrimin “Shumë shpejt”, duke ndezur debat të fortë në opinionin publik.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Miller-it, Fehlinger theksoi se Evropa është e aftë të mbrojë veten edhe pa praninë ushtarake amerikane, pa bazat e SHBA-së dhe pa mburojën bërthamore amerikane, duke sugjeruar një pavarësi më të madhe strategjike të kontinentit.
Ndërkohë, reagime të ngjashme kanë ardhur edhe nga liderë të tjerë europianë, të cilët kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për të marrë Groenlandën me forcë do të përbënte një goditje serioze për NATO-n dhe mund të çonte në shpërbërjen e aleancës ushtarake më të fuqishme në botë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



