Kruja mes “ferrit” prej disa ditësh, zjarrfikësit nuk dorëzohen
“Na dhimbset ky qytet, nuk duam të shkatërrohet”
Kruja vijon të përballet me situatë të vështirë për shkak të zjarreve që prej pesë ditësh kanë përfshirë disa zona përreth qytetit. Tymi është përhapur mbi Krujë, ndërsa në lagjen Abaze flakët janë raportuar rreth 400 metra larg banesave.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë ndërhyrjen në terren për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.
Megjithëse në disa momente situata është paraqitur më e qetë, rreziku mbetet i lartë. Vatrat që janë konsideruar të shuara janë riaktivizuar për shkak të prushit të mbetur, duke e bërë të nevojshme mbajtjen nën monitorim të vazhdueshëm të zonave të prekura.
Nënkryetarja e Bashkisë së Krujës, Yllka Sheta, ka deklaruar se situata aktualisht është përmirësuar, por eksperienca e pesë ditëve të fundit tregon se gjendja mund të ndryshojë në çdo moment.
“Gjendja duket e qetë aktualisht, por gjithë këto pesë ditë na kanë treguar se tani mund të jesh i qetë dhe më vonë të dalë gjendja jashtë kontrollit”, deklaroi Sheta.
Ajo tha se ekipet po punojnë për eliminimin e çdo vatre që mund të përbëjë rrezik, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve dhe strukturave të emergjencave ka ndihmuar që flakët të mbahen larg banesave.
Zjarrfikësit të rraskapitur, disa vijojnë punën edhe të dëmtuar
Pas ditësh të tëra përballjeje me flakët, lodhja fizike ka filluar të ndihet te efektivët që ndodhen në vijën e parë. Disa prej tyre kanë pësuar dëmtime, por kanë vijuar punën në terren.
Zjarrfikësi Eduart Tupi, i cili ka pësuar dëmtime në këmbë, ka treguar për mediat se prej ditësh nuk ka mundur të pushojë normalisht.
“Kam një javë pa gjumë dhe as këpucët nuk kam heq që prej disa ditësh. Puna jonë kështu e ka. Edhe kolegët e tjerë kanë dëmtime në këmbë”, u shpreh ai.
Në terren vijon të jetë edhe zjarrfikësi Ali Tupi. Edhe pse po përballet me probleme shëndetësore dhe është nën trajtim për mushkëritë, ai nuk është larguar nga detyra.
I pyetur për gjendjen e tij, ai pranoi se është i lodhur dhe i sëmurë, por këmbënguli se detyra duhet kryer.
“Duhet të vish në punë. Do ta bëjmë me zemër e njerëzillëk”.
Komandanti: Nuk do të dorëzohemi deri në fund
Në operacion është angazhuar edhe komandanti i zjarrfikësve të Krujës, Altin Shullazi, i cili së bashku me efektivët e tij ka kaluar pesë ditë e net në përpjekje për të mbajtur nën kontroll flakët.
“Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”, deklaroi Shullazi.
Sipas tij, operacioni do të vijojë pa ndërprerje deri në neutralizimin e plotë të vatrave të zjarrit, pavarësisht lodhjes dhe problemeve shëndetësore me të cilat po përballen efektivët.
Banorët e zonave të prekura kanë shprehur mirënjohje për zjarrfikësit dhe policinë, të cilët kanë ndërhyrë në momentet më kritike për të mbrojtur banesat dhe banorët nga përparimi i flakëve.
Gurët shkëputen nga mali, rrezik edhe për zjarrfikësit
Përveç flakëve, në lagjen Abaze është shfaqur edhe një tjetër rrezik. Për shkak të zjarrit, gurë dhe materiale shkëmbore kanë nisur të shkëputen nga mali dhe të rrokullisen në drejtim të zonave ku po operojnë ekipet.
Situata ka vënë në rrezik si banorët, ashtu edhe zjarrfikësit që ndodhen në terren. Në një prej momenteve të filmuara gjatë operacionit, efektivët dëgjohen duke paralajmëruar njëri-tjetrin për rrezikun me thirrjen: “Largohu!”.
Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të Krujës, ndërsa ekipet e emergjencave mbeten në gatishmëri të plotë për të parandaluar riaktivizimin e vatrave dhe për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt banesave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



