Kryeministri grek në mbledhjen e KE: “Beleri” jo çështje bilaterale midis dy vendeve
Kryeministri grek ka bërë të ditur dje në Samitin e djeshëm midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se çështja e marrjes së detyrës nga Fredi Beleri dhe e drejta në një gjyq të drejtë nuk përbën çështje bilaterale Greqi-Shqipëri, por çështje e respektit të shtetit të së drejtës, që përbën pikën bazë të procesit integrues në BE.
Sipas burimeve diplomatike, Mitsotakis ka përsëritur të njëjtin qëndrim sot paradite në mbledhjen e KE duke theksuar vullnetin e sinqertë të Greqisë për zgjidhjen e çështjes duke përsëritur se Greqia ishte dhe mbetet pionere e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një ditë më parë, kancelari gjerman e konsideroi çështjen “Beleri” si një çështje bilaterale midis dy shteteve.

Gjatë një deklarate qeveritare në Parlamentin Gjerman për Samitin e BE-së në Bruksel, kancelari gjerman Olaf Scholz, bëri thirrje, ndër të tjera, për më shumë mbështetje dhe vlerësim për vendet e Ballkanit Perëndimor. Scholz kujtoi në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili fillon punimet të mërkurën në Bruksel, se “prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Herzegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së” dhe shtoi se tani “ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së”. Sipas kancelarit gjerman, kjo panoaramë e përgjithshme është “shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Europën dhe për t’ia lënë të kaluarës problemet e së kaluarës”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



