Kujt po i bëhet “qoka”? 59 Monumente Natyre drejt heqjes nga lista e mbrojtjes
Një ndryshim i propozuar në listën e pasurive natyrore të mbrojtura në Shqipëri ka hapur një debat të rëndësishëm mbi të ardhmen e territoreve që prej vitesh gëzojnë status të veçantë ligjor. Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim një projektvendim që parashikon heqjen e statusit të mbrojtjes për 59 Monumente Natyre, ndërsa në listën e rishikuar propozohet përfshirja e 26 objekteve të reja.
Në pamje të parë, nisma paraqitet si një proces përditësimi i inventarit kombëtar të monumenteve natyrore. Megjithatë, përtej argumenteve zyrtare, ajo ngre pikëpyetje mbi fatin e sipërfaqeve të tokës, pyjeve dhe burimeve ujore që mund të dalin nga regjimi aktual i mbrojtjes.
Nga shqyrtimi i relacionit shoqërues dhe listës së propozuar rezulton se numri i përgjithshëm i monumenteve të përfshira në inventarin aktual është 721. Këto pasuri natyrore janë të shpërndara në të gjithë vendin dhe përfshijnë pyje, shpella, burime ujore, formacione gjeologjike dhe zona me vlera të veçanta mjedisore.
Dëmtimet dhe ndërhyrjet njerëzore, argumentet për heqjen e statusit
Në relacionin e projektvendimit, propozimi për largimin e 59 monumenteve justifikohet me ndryshimet që kanë pësuar ndër vite një pjesë e tyre. Ndër shkaqet e evidentuara përmenden degradimi ose zhdukja e elementeve natyrore që justifikonin mbrojtjen, ndërhyrjet e pakontrolluara njerëzore, ndërtimet, aktivitetet e nxjerrjes së inerteve dhe prerjet e pyjeve.
Dy prej rasteve të përmendura konkretisht lidhen me zonën e Vlashajt dhe Shpellën e Gurit të Kuq në Dibër.
Në Vlashaj bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 50 hektarësh, e shpallur Monument Natyre në vitin 1996. Sipas dokumentacionit të projektvendimit, pylli i vjetër me pishë të zezë ka pësuar dëmtime, çka është përdorur si argument për propozimin e heqjes së statusit mbrojtës.
Një tjetër rast është Shpella e Gurit të Kuq, në zonën e Muhurrit, ku hyrja rezulton e bllokuar nga depozitimet e inerteve të krijuara si pasojë e aktivitetit të nxjerrjes së gurit.
Këto raste tregojnë se një pjesë e monumenteve kanë pësuar degradim si pasojë e veprimtarisë njerëzore. Por pikërisht këtu lind edhe një tjetër çështje: a duhet që dëmtimi i një pasurie natyrore të shërbejë si arsye për t’i hequr mbrojtjen ligjore, apo duhet të nxisë masa për rehabilitimin dhe ruajtjen e saj?
Nga mbrojtja mjedisore te mundësitë e shfrytëzimit ekonomik
Përtej argumenteve teknike të paraqitura nga institucionet, vëmendje të veçantë meriton ndikimi që mund të ketë ndryshimi i statusit ligjor mbi përdorimin e ardhshëm të këtyre territoreve.
Nisma vjen në një periudhë kur qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të nxitur investimet private në sektorë dhe territore të ndryshme, përfshirë projektet fotovoltaike, të ashtuquajturën “Paketë e Maleve” dhe ndryshimet e bëra në kuadrin ligjor për investimet strategjike.
Në këtë kontekst, heqja e statusit të mbrojtjes për dhjetëra monumente natyrore kërkon transparencë të plotë mbi vendndodhjen, sipërfaqet dhe destinacionin e mundshëm të secilës prej tyre.
A bëhet fjalë vetëm për një proces administrativ që synon të pastrojë listën nga monumentet e dëmtuara apo të zhdukura, apo ndryshimi mund të krijojë hapësira të reja për shfrytëzimin ekonomik të territoreve që deri më tani kanë qenë nën mbrojtje?
Kjo është një pikëpyetje që kërkon përgjigje konkrete, veçanërisht për sipërfaqet e mëdha pyjore dhe zonat me potencial turistik. Heqja e një statusi mbrojtës nuk do të thotë automatikisht se toka bëhet pronë private apo se mund të ndërtohet pa kufizime të tjera ligjore. Megjithatë, ndryshimi i regjimit të mbrojtjes mund të ndikojë në kushtet dhe kufizimet që zbatohen për përdorimin e territorit.
Për këtë arsye, publiku ka të drejtë të dijë se cilat janë 59 monumentet që propozohet të hiqen nga lista, çfarë sipërfaqesh përfshijnë, ku ndodhen dhe cilat do të jenë pasojat konkrete të këtij vendimi.
Kujt do t’i hapet rruga për këto territore?
Nëse projektvendimi miratohet, dhjetëra pasuri natyrore do të humbasin një status që deri më tani u garantonte një nivel të veçantë mbrojtjeje. Përballë këtij ndryshimi, institucionet duhet të bëjnë të qartë nëse ekzistojnë vlerësime të ndikimit mjedisor për secilën zonë dhe çfarë masash do të merren për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të tyre.
Pyetja nuk është thjesht pse po hiqen 59 Monumente Natyre nga lista, por edhe çfarë do të ndodhë me territoret që ato përfshijnë.
Në një vend ku toka, pyjet dhe bregdeti janë kthyer gjithnjë e më shumë në objekt të interesave ekonomike dhe investimeve, çdo ndryshim i kufijve të mbrojtjes mjedisore duhet të shoqërohet me transparencë maksimale.
Përndryshe, mbetet dyshimi se pas një procesi të paraqitur si rishikim teknik mund të fshihen interesa të tjera, ndërsa pyetja se kujt mund t’i bëhen “peshqesh” këto pasuri natyrore vijon të kërkojë përgjigje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



