Kulla e Selitës: Projekti me 25 kate, nën hijen e një aksidenti tragjik
Oppenheim Architecture zbarkon sërish në Tiranë
Studioja ndërkombëtare Oppenheim Architecture do të sjellë një tjetër projekt të rëndësishëm në Tiranë, këtë herë në zonën e Selitës. Sipas ekofin.al, bëhet fjalë për Kullën e Selitës, një kompleks i ri i përbërë nga dy ndërtesa me 6 dhe 25 kate mbi tokë, që do të integrojë funksione banimi, shërbimesh dhe hotelerie. Projekti do të ndërtohet nga kompania “ASR Invest” sh.p.k., e cila ka marrë lejen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 25 qershor 2025.
Kulla është menduar si një hapësirë e hapur për komunitetin, me sheshe publike, ambiente të gjelbëruara dhe zona për rekreacion, ndërkohë që arkitektura e saj do të karakterizohet nga forma të lakuara dhe hapje të mëdha, të frymëzuara nga arti bashkëkohor. Sipas përshkrimit zyrtar, objekti synon të ndërthurë funksionin rezidencial dhe komunal, duke krijuar një qendër të re urbane në zonën perëndimore të Tiranës.
Ky projekt vjen pas angazhimeve të mëparshme të studios Oppenheim në Shqipëri, siç janë Tirana Tower, kompleksi në Komunën e Parisit, Vlora Landmark dhe stadiumi i ri i Vlorës.
Aksidenti tragjik në 2023: Njollë e errët në historikun e kompanisë ndërtuese
Më herët, në shkurt të vitit 2023, kompania “ASR Invest” u përfshi në një ngjarje tragjike, pas vdekjes së një punëtori ndërtimi. Kristo Doka, 53 vjeç, humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një pallati në ndërtim në rrugën “Konferenca e Pezës”, pranë Unazës së Madhe në Tiranë.
Si pasojë e ngjarjes, u arrestuan E. S., 41 vjeç, me detyrë inxhinier ndërtimi dhe E. B., 68 vjeç, teknik ndërtimi – të dy punonjës të firmës. Sipas burimeve të policisë në atë kohë, rënia ishte aksidentale, por grupi hetimor ndërmori verifikime për të sqaruar rrethanat dhe për të zbardhur nëse ishin respektuar kushtet teknike të punës.
Firma “ASR Invest”, në pronësi të Mariglen Shamkut, me 100% të aksioneve, u vu atëherë në fokusin e autoriteteve për kontrolle shtesë mbi sigurinë në kantieret e saj.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



