Kulla te Garda, zbulohet VKM-ja që prisnin personat në hetim
Si e mori truallin Ilir Shtufi për kullë kundrejt parkimit
Një komunikim i interceptuar nga SPAK në maj të vitit 2020 mes dy personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine ka nxjerrë në pah një çështje që lidhet me një pronë shtetërore në një prej zonave më të lakmuara të Tiranës, pranë hyrjes së Liqenit Artificial dhe territorit të Gardës së Republikës.
Në bisedën e administruar në dosjen hetimore, ku janë të pandehur Ilir Shtufi, Luçiano Koçeku dhe persona të tjerë, njëri prej bashkëbiseduesve pretendon se kishte dijeni për një vendimmarrje të ardhshme të qeverisë lidhur me shkëmbimin e një trualli publik.

Në mesazhin e zbardhur nga komunikimet në platformën e enkriptuar, shkruhet:
“Kusho, Garda në rregull ka qenë, takim Ilir dje ka kaluar, është shpall fituesi. Javën tjetër presim një VKM për ndërrimin e tokës në hipotekë, maksimum 10 ditë, 2 javë mbyllen kontratat.”
Sipas të dhënave, vendimi për të cilin personat nën hetim pretendohet se kishin informacion paraprak lidhej me shkëmbimin e një prone shtetërore në zonën kadastrale 8280, në Tiranë, me prona në pronësi të shoqërisë “Dushku S.A.”.
Aktualisht, kjo sipërfaqe shfrytëzohet si parkim.

VKM-ja që u miratua disa muaj pas bisedës së përgjuar
Sipas dokumenteve të administruara, bëhet fjalë për Vendimin nr. 763, datë 23 shtator 2020, të Këshillit të Ministrave, i firmosur nga zëvendëskryeministri i atëhershëm Erion Braçe.

Ky vendim parashikonte shkëmbimin e një sipërfaqeje prej 1 470 metra katrorë, pjesë e pronës shtetërore nr. 4/854 me emërtimin “Garda e Republikës, Garnizon”, e administruar nga Ndërmarrja Industriale nr. 1 Tiranë.
Në këmbim të kësaj prone shtetërore, kalonin në administrim të shtetit pronat nr. 2/353, 2/534, 2/355 dhe 2/18, të cilat ishin në pronësi të shoqërisë “Dushku S.A.”.
Nga të dhënat që disponohen, kompania “Ferro Beton & Construction Co”, e lidhur me Ilir Shtufin dhe Mark Lulin, zotëron rreth 56% të aksioneve në shoqërinë “Dushku S.A.”.
Nga trualli i Gardës te projekti “Nova Hotel Five Star”
Pas shkëmbimit të pronave, sipas dokumenteve, sipërfaqet e marra nga “Dushku S.A.” do të përdoreshin nga Bashkia Tiranë në funksion të masterplanit të miratuar përmes Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës.
Ndërkohë, trualli i marrë nga zona e Gardës së Republikës do t’i hapte rrugë një projekti ndërtimi.
Fillimisht, në këtë sipërfaqe ishte parashikuar ndërtimi i një kulle 14-katëshe, por projekti ndryshoi më vonë dhe u zgjerua në një kullë 41-katëshe.
Pikërisht në këtë truall është miratuar më pas leja për projektin “Nova Hotel Five Star”, ku aktualisht kanë nisur punimet.
Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje në hetim është koha e ndryshimit të projektit.
Vetëm pak ditë përpara goditjes së grupit nga SPAK, projektit iu miratua ndryshimi i lejes së ndërtimit, duke kaluar nga një objekt hotelerie 14-katësh në një kullë 41 kate.
Trualli qe kompania Dushku SA shpk i mori shtetit
Pikëpyetja e SPAK: Si e dinin të dyshuarit vendimmarrjen e qeverisë?
Biseda e zhvilluar në maj të vitit 2020 dhe VKM-ja e miratuar në shtator të po atij viti kanë ngritur një pikëpyetje të rëndësishme në dosjen hetimore:
Si kishin dijeni persona nën hetim për një vendimmarrje të ardhshme të qeverisë që lidhej me një pronë publike me vlerë të konsiderueshme në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës?
Sipas SPAK, grupi i goditur dyshohet se pastronte para me origjinë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, blerjes së tokave, ndërtimit të vilave dhe përfshirjes në projekte të mëdha ndërtimore në Tiranë dhe në jug të vendit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën sesi janë realizuar këto investime dhe nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në zinxhirin e vendimmarrjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



