Kush është i arrestuari për alarmin për bombë te ‘Edit Durham’
Një telefonatë anonime ka shkaktuar alarm në Tiranë, pasi është raportuar për një bombë të vendosur në ambientet e shkollës “Edit Durham”.
Pas njoftimit, policia ka reaguar menjëherë duke dërguar shërbimet në institucionin arsimor dhe duke nisur kontrollet për verifikimin e informacionit. Nga kontrollet e kryera nuk është konstatuar asnjë lëndë plasëse, ndërsa telefonata rezultoi të ishte një alarm i rremë.
Pas verifikimit të situatës, uniformat blu kanë vijuar punën për identifikimin e personit që kishte bërë njoftimin. Përmes gjurmimit të numrit të telefonit, autoritetet kanë arritur të zbulojnë se pas telefonatës qëndronte Edmond Jatagani.
Ai është arrestuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e Antiterrorit.
Sipas të dhënave të bëra me dije për rastin, Jatagani nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton të jetë shoqëruar edhe më herët nga uniformat blu, në lidhje me episode të ndryshme të ndodhura gjatë protestave, ku janë evidentuar edhe akte apo thirrje për dhunë.
Autoritetet po vijojnë procedurat lidhur me rastin, ndërsa telefonata për bombë në një institucion arsimor ka shkaktuar angazhim të menjëhershëm të strukturave të sigurisë, pavarësisht se pas kontrolleve nuk u gjet asnjë rrezik real.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



