Kush është “mjeshtri i tenderave” Endri Mullai që i dha 7.6 milionë euro tender kompanisë që u kallëzua nga policia për mashtrim me kontratat publike?!

Çfarë e lidh me Petrit Kasapin? Si e shpëtoi Çuçi nga duart e BKH-së

Në mars të vitit 2023, drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruar në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai, firmosi dy tendera me vlerë rreth 7.6 milionë euro për kompanitë Marsi & AL dhe Giromondo për blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre si dhe blerje këpucësh.

Endri Mullai, i njohur edhe si ‘Bishtaleci’, zëvëndësoi në këtë detyrë Edlira Naqellarin, e arrestuar nga SPAK në korrik të vitit 2021 për tenderin 27 milionë euro të uniformave të policisë, duke u dënuar më pas me vendim të formës së prerë.

Dy tenderat e firmosur nga Endri Mullai, një lidhje dhe investim i Bledi Çuçit, mbartin elementë të theksuar korruptivë.

Së pari, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është e papërfillshme, edhe pse vlera e tenderit është mbi 8 milionë euro me TVSH. Ky është një tipar i tenderave me fitues të paracaktuar në tavolinë. Paratë që mund të kurseheshin nga një procedurë me garë reale, duke përzgjedhur ofertën më të ulët, ndahen mes titullarit të autoritetit kontraktor dhe pronarit përfitues të kompanisë fituese të tenderit. Për tendera të tillë, fituesi i atacaktuar me pazar paraprak, jep zakonisht 20 % të vlerës së tenderit.

Së dyti, kompania fituese Marsi & AL, me pronar që nga maj 2017, Petrit Kasapui, është skeduar si një firmë mashtruese, jo serioze dhe që përvetëson paratë publike duke mashtruar me zbatimin e kontratave.

Në 1 janar të vitit 2015, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme u ngarkua të kryente prokurimet për uniformat e reja të policisë. Gara u mbyll në shkurt, ku morën pjesë katër kompani. Në përfundim u shpall fitues bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS” & Marsi AL SHPK, me ofertë 91 917 500lekë.

Prokuroria e Tiranës nisi një hetim kryesisht, pasi u konstatua se uniforma është prodhuar në Shqipëri, ndërkohë që kriteri në tender dhe kontratë ishte që të vinte nga Turqia. Nga verifikimet në dogana nuk u gjet asnjë e dhënë apo deklaratë doganore për hyrjen e uniformës në Shqipëri.

Në 2 shtator të vitit 2016, Policia e Shtetit ndërpreu kontratën me kompaninë fituese, pasi po mashtronte me cilësinë e uniformave, ndryshe nga sa ishte parashikuar në kontratë.

Në njoftim të Ministrisë së Brendshme, të datës 21 shtator 2016, ndër të tjera thuhet se “Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhet të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë. Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancisë financiare të kontratës në favor të Policisë së Shtetit. Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit”.

Në mars të vitit 2018, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidh një kontratë me kompaninë “Marsi&Al”, me vlerë 37 751 800 lekë për blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera, për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, edhe pse më parë kjo kompani ishte kallëzuar nga vetë policia dhe Ministria e Brendshme në prokurori për mashtrim me uniformat e policisë.

Nga kjo procedurë u përjashtua në bllok të gjitha kompanitë e tjera, përveç fitueses “Marsi&Al”, sot me pronar Petrit Kasapin.

Në gusht të vitit 2020 Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidhi një tjetër kontratë me kompaninë “Marsi&Al”, tashmë me vlerë 57 462 300 lekë, për blerje të uniforma për personelin e shërbimit të urgjencës mjekësore.

Kush është Endri Mullaj

Është një nga drejtorët më të lakuar për korrupsion, falsifikime dhe pazare me tenderat, por në të njëjtën kohë edhe mollë sherri mes një ish ministri dhe SPAK-ut.

I njohur si ‘bishtaleci i korrupsionit’, Endri Mullai i shpëtoi arrestimit disa muaj më parë falë ndërhyrjes agresive të Bledi Çuçit, i cili ua rrëmbeu pupacin e tij nga duart një skuadre të Byrosë Kombëtar të Hetimit.

‘Bishtaleci’ nisi të bënte rezistencë, duke pretenduar shkelje procedura dhe refuzuar kontrollin personal, të zyrës dhe banesës si dhe dorëzimin e telefonit.

Por një skuadër e BKH-së, me vendim gjykate në dorë, e ‘ngriti në ajër’ në zyrë, ndërsa një grup tjetër trokiti në një nga banesat e tij.

Gjatë kontrollit në një nga banesat e Endri Mullait, BKH-ja gjeti mijëra euro dhe një bllok shënimesh, ndërsa sekustroi një telefon, disa thasë me dosje tenderash dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin.

BKH-ja u hodh në veprim me urdhër të SPAK pas 30 sinjalizimeve dhe denoncimeve ndaj Mullait për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe pazare, përfshirë edhe disa kallëzime penale nga firmat private që ishin skualifikuar pasi Mullai e kishte mbyllur pazarin dhe fituesi ishte paracaktuar.

Endri Mullai u mbajt 48 orë i shoqëruar, por u desh ndërhyrja ekstra ligjore e Bledi Çuçit për të nxjerr nga qelia njeriun e tij më të besuar në atë ministri.

(Mullai ka qenë njeriu i besuar i Çuçit që në Ministrinë e Bujqësisë. Dyshja dyshohet se kanë përvetësuar miliona euro nga aferat me tendera tek Bujqësie, para që besohet se i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, kamufluar në emrin e personave të afërt).

Lajmi i ndërhyrjes, sigurisht i shkoi në vesh dhe kryeministrit Rama, i cili reagoi ashpër ndaj Çuçit pasi informacioni i kishte ardhur nga partnerët ndërkombëtarë.

Kjo besohet se është edhe arsyeja se pse Rama shkarkoi më pas Çuçin si ministër të Brendshëm, edhe pse largimi i tij përkoi me ngjarjen e Rrajave.

Çfarë ndodhi me Endri Mullain?

Pas përplasjes me BKH-në, Endi Mullai, në vend që të frenohej, intensifikoi pazaret me tendera.

Një burim brenda Drejtorisë së Tenderave, theksoi se Mullai, ndryshe nga drejtorët e tjerë, nuk operon me sekserë, kamuflime dhe skemë të sofistikuar, por ulet vetë dhe bën pazare me fituesit e paracaktuar të tenderave.

Teksa BKH-ja dhe SPAK-u vijojnë prej disa muajsh hetimet dhe të kontrollojnë në telefonin e Endri Mullait, ky i fudit vijon hapur pazaret me biznesmenë të ndryshëm, duke diktuar fituesit e tenderave, kryesisht me oferta fituese sa fondi limit.

Pazaret i bën në zyrë në Ministrinë e Brendshme, restorante, lokale, resorte, në udhëtime dhe madje edhe me mesazhe në aplikacione të ndryshme, ku sipas tendarave dhe natyrës së shërbimit, merr 20-30 të vlerës së ofertës fituese.

Me kë i ndan paratë Endri Mullai?

Endri Mullai ka ndarë miliona euro me bandën e Talo Çelës. Më 22 maj 2022, dy muaj pas shpalljes në kërkim e sekuestrimit të vilës së Gentian Sharrës, Mullaj i ka dhënë Sharrës të grupit “Nuredin Dumani-Talo Çela”, tender 2.5 milionë Euro për furnizimin me mish, nëpërmjet subjektit “Olta Sharra” të gruas së tij, ku menaxher në letrat e tenderit figuron Talo Çela, njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Nga SPAK po hetohet edhe tenderi me vlerë 1.5 milionë euro për “Blerje orendi dhe paisje për mobilim zyrash për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”. Këtë tender Mullaj i ka dhënë kompanisë Ro-Al shpk me pronar Robert Kaso.

‘Bishtaleci’ i ka dhënë dhe ka ndarë miliona euro me hajdutin me damkë, Njazi Prençi, i arrestuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion me tendera, falsifikime dhe mashtrim me zbatimin e kontratave. Prençi i ka marrë tenderat përmes tre kompanive në emrin e tij, të të birit dhe të bijës: Regli, Mc Catering dhe Eglenti.

Në korrik 2023, Mullaj i ka dhënë me pazar në tavolinë Eduart Resulit një tender 2.2 milionë euro. Resuli ka marrë mbi 10 milionë euro tendera nga ‘bishtaleci’, ndërsa miliona euro ka ndarë me Robert Kason, pronar i kompanisë RO-AL si dhe me Paulin Gegën, i cili pagoi 300 mijë euro për të mbyllur dosjen në Prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal dhe pastrim parash./Nami.al

Publikuar nga Publik Media