Kush është ‘Zonja e hekurt’ që doli mbi shtetin për të fundosur Call Center-at

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Prokurorja Rovena Zoto në krye të goditjes

Hetimi dyvjeçar çon në zbardhjen e skemës milionëshe

Një hetim i gjatë dhe i ndërlikuar i udhëhequr nga prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto, ka çuar në goditjen e një prej rrjeteve më të mëdha të call-centerave të paligjshëm që operonin në kryeqytet.

Pas afro dy vitesh hetime intensive, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, u finalizua një operacion i gjerë policor në disa zona të Tiranës. Aksioni rezultoi në arrestimin e 10 personave të dyshuar si pjesë e skemës së mashtrimit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas burimeve hetimore, skema dyshohet se ka mashtruar mijëra qytetarë europianë, duke shkaktuar dëme që arrijnë deri në 50 milionë euro. Gjatë kontrolleve në ambientet ku zhvillohej aktiviteti, u sekuestruan rreth 891 mijë euro cash, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike që përdoreshin për realizimin e mashtrimeve.

Në fokus të këtij operacioni ka qenë puna hetimore e drejtuar nga prokurorja Zoto, e cila ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme këtë çështje, duke dokumentuar hap pas hapi funksionimin e rrjetit dhe rolet e personave të përfshirë. Burimet theksojnë se këmbëngulja në hetim dhe koordinimi me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë vendimtare për finalizimin e aksionit.

Rovena Zoto është pjesë e Prokurorisë së Tiranës prej vitit 2021 dhe ka një eksperiencë të konsoliduar në sistemin e drejtësisë. Ajo ka shërbyer më herët si prokurore në Lushnjë dhe është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010. Në vitin 2023, ajo kaloi me sukses procesin e vettingut, duke u konfirmuar në detyrë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë në detaje pajisjet e sekuestruara për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe për të zbardhur plotësisht aktivitetin e rrjetit. Rasti konsiderohet një provë e rëndësishme për strukturat e drejtësisë në luftën kundër krimit financiar dhe mashtrimeve ndërkombëtare.

Publikuar nga Publik Media