E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush ia bëri ‘gjëmën’? Prapaskenat e shpalljes non grata të Artan Hoxhës
Lajme

Kush ia bëri ‘gjëmën’? Prapaskenat e shpalljes non grata të Artan Hoxhës

Gazetari Artan Hoxha ka treguar se si u ndalua dhe u shpall i padëshiruar nga autoritetet greke dy ditë më parë. Ai tha se gjatë kalimit të kufirit u përball me një situatë të papritur, ndërsa autoritetet nuk i dhanë asnjë shpjegim zyrtar për vendimin.

Sipas Hoxhës, gjithçka ndodhi pasi pasaporta e tij u skanua në sistem. “Më ndaluan menjëherë në kontrollin e parë dhe më komunikuan se kishte një problem me dokumentet e mia. Nuk ma kthyen pasaportën dhe më dërguan te një zonë dytësore kontrolli, pranë postës policore,” tha ai.

Ai tregon se procedurat që i kërkuan i ngjanin atyre që aplikohen për persona me precedent penal. “Më kërkuan të lija gjurmët e gishtave dhe të bëja skanimin e retinës. U shpjegova se nuk kam asnjë çështje penale as në Greqi e as gjetkë, por oficeri më tha se nuk mund të merrja pasaportën pa kryer këto procedura,” deklaroi Hoxha.

Pas kësaj, nisi një intervistim i papritur. Gazetari thotë se u step kur një prej oficerëve e pyeti për qëndrimet e tij ndaj Greqisë. “Më tha: ‘Pse ke mbajtur këtë qëndrim ndaj Greqisë?’. U habita, sepse nuk kam asnjë lloj fobie apo qëndrimi negativ ndaj vendit. Përkundrazi, kam qenë i angazhuar edhe gjatë fushatës së vitit të kaluar për zgjedhjet europiane,” u shpreh ai.

Sipas Hoxhës, e vetmja arsye që mund të ketë çuar në shpalljen e tij non-grata lidhet me prononcimet e tij publike për çështjen e Fredi Belerit. Ai rrëfeu se gjatë periudhës kur Beleri hyri në politikën greke dhe shpalli kandidaturën, media të ndryshme në Greqi publikuan materiale të ndryshme për të, një pjesë e të cilave ia kishin dërguar edhe atij. “Duket se ekspozimi i së kaluarës së tij ka krijuar pakënaqësi, sidomos duke treguar se si drejtësia greke ka ndihmuar persona me probleme të shmangin ekstradimin në Shqipëri,” përfundoi Hoxha.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.