Kush ia prishi terezinë “Liderit Global” në takimin me Kurtin?
Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Kosova u zhvillua në kuadër të festimeve për 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, por takimi me homologun Albin Kurti u shoqërua me një zhvillim që nuk kaloi pa u vënë re: mungesën e një konference të përbashkët për shtyp.
Megjithëse vizita ishte në kuadër të festës së Pavarësisë, interes i veçantë ishte përqendruar te përballja politike mes dy kryeministrave, marrëdhëniet e të cilëve kanë qenë shpesh të tensionuara.
Takim një orë dhe asnjë dalje për mediat
Pas një takimi rreth një orë në zyrën e Kurtit, Rama u largua nga Kryeministria pa asnjë konferencë për shtyp dhe pa deklarata për mediat. Gazetarët nuk u thirrën fare, ndonëse në takime të këtij niveli konferencat e përbashkëta janë zakonisht pjesë e protokollit.
Mungesa e daljes publike u interpretua si një sinjal i qartë se Kurti ka shmangur një skenë të përbashkët komunikimi, duke i prishur mundësinë Ramës për një dalje politike me mesazhe të forta.
Vetëm një postim formal nga Kurti
Reagimi i vetëm publik erdhi nga Kurti, i cili zgjodhi një postim të shkurtër në rrjetet sociale:
“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta…”.
Nga ana e tij, Rama nuk ka bërë ende asnjë reagim apo postim mbi takimin, çka ka shtuar interpretimet mbi atmosferën e ftohtë mes dy liderëve.
Kontekst i ndjeshëm politik
Vizita e Ramës në Kosovë vjen në një moment të ndjeshëm, teksa në Hagë po zhvillohen hapat e fundit të procesit gjyqësor ndaj ish-liderëve të UÇK-së. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rama mori pjesë edhe në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, ku u shpreh me tone emocionale për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Më pas ai zhvilloi takime institucionale edhe me presidenten Vjosa Osmani.
Akulli ende i trashë
Edhe pse vizita ishte në kuadër të festës së Pavarësisë, momentet protokollare dhe mungesa e komunikimit të përbashkët publik treguan se raportet mes Ramës dhe Kurtit mbeten të rezervuara.
Në vitet e fundit, Rama dhe Kurti kanë pasur përplasje të herëpashershme politike dhe deklarative. Edhe pse kontaktet institucionale vazhdojnë, takimi i sotëm dëshmoi se akulli mes tyre ende nuk është shkrirë plotësisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



