E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Kush janë gjyqtarët që po “gatuajnë” lirmin e Veliajt nga qelia pasnesër?
Lajme

Kush janë gjyqtarët që po “gatuajnë” lirmin e Veliajt nga qelia pasnesër?

Pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, beteja për masën e sigurisë së kryebashkiakut të Tiranës hyn në një tjetër fazë. Më 15 shtator, çështja do të shqyrtohet nga Sandër Simoni, Genti Shala dhe Valbon Çekrezi.

Fati i Erion Veliajt rikthehet këtë javë në duart e Gjykatës së Lartë, në një seancë që pritet me interes të madh për shkak të pasojave që mund të ketë mbi vijimin e qëndrimit të tij në qeli.

Pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, çështja për masën e sigurimit është rikthyer në skenë dhe tashmë do të shqyrtohet nga një tjetër trupë e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Lartë, më 15 shtator 2026, çështja që lidhet me Erion Veliajn do të shqyrtohet në dhomë këshillimi nga gjyqtarët Sandër Simoni, Genti Shala dhe Valbon Çekrezi. Relator i çështjes është Sandër Simoni.

Në thelb, beteja lidhet me masën “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe mënyrën se si gjykatat kanë arsyetuar për këtë masë.

Sandër Simoni, relatori i çështjes

Në krye të trupës është Sandër Simoni, i cili do të jetë edhe relatori i dosjes.

Simoni është një emër i njohur në sistemin gjyqësor shqiptar dhe ka mbajtur më herët drejtimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Tashmë, në një prej dosjeve më të bujshme që ndodhen në tryezën e Gjykatës së Lartë, atij i takon të relatojë çështjen dhe të paraqesë përpara trupës problematikën që lidhet me vendimmarrjet e mëparshme.

Në këtë rast, pesha e vendimmarrjes është edhe më e madhe për shkak të ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Genti Shala, një tjetër emër kyç në trupë

Krah Simonit do të jetë Genti Shala, pjesë e trupës që do të marrë vendimin për çështjen e Veliajt.

Shala ka qenë pjesë e trupave gjyqësore në disa çështje të rëndësishme penale që kanë tërhequr vëmendje publike, ndërsa emri i tij është shfaqur edhe në vendimmarrje që kanë prekur figura të politikës dhe administratës shqiptare.

Në këtë dosje, qëndrimi i tij do të jetë një prej elementeve që do të përcaktojë drejtimin e vendimmarrjes së trupës.

Valbon Çekrezi dhe një dosje me peshë politike

Anëtari i tretë është Valbon Çekrezi, gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Çekrezi ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor dhe ka shërbyer më herët edhe në Gjykatën e Durrësit.

Tashmë, emri i tij është pjesë e trupës që do të duhet të shqyrtojë një prej çështjeve më të ndjeshme të drejtësisë shqiptare, atë që lidhet me vijimin e masës së arrestit ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Çfarë ndryshoi pas vendimit të Kushtetueses?

Në maj 2026, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Erion Veliajt kundër vendimeve që kishin lënë në fuqi masën “arrest në burg”. Gjykata bëri një shqyrtim në themel të pretendimeve që lidhen me aspektet procedurale dhe substanciale të caktimit të kësaj mase sigurimi.

Kjo e riktheu çështjen në një tjetër fazë dhe e vendosi sërish Gjykatën e Lartë përballë dosjes.

Tashmë, vendimi i trupës së përbërë nga Simoni, Shala dhe Çekrezi pritet të jetë një moment i rëndësishëm për fatin procedural të Veliajt.

Nëse masa e arrestit do të mbetet në fuqi apo do të ndryshojë, kjo do të përcaktojë edhe nëse kryebashkiaku i Tiranës do të vijojë të qëndrojë në qeli apo do të ketë mundësi të rikthehet në liri.

Përtej aspektit individual të çështjes, vendimmarrja pritet të ketë edhe një peshë të fortë politike e institucionale.

Tre gjyqtarë, një dosje që ka tronditur politikën shqiptare dhe një vendim që mund të ndryshojë rrjedhën e betejës për Veliajn. Tashmë, gjithçka është në tryezën e Gjykatës së Lartë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.