Kush po tenton të fusë duart te gara për kreun e SPAK?
Altin Dumani pritet të përfundojë mandatin e tij 3-vjeçar si kreu i SPAK më 18 dhjetor të këtij viti.
Pavarësisht vizitave dhe takimeve që zhvilloi në SHBA, ai nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë.
Ndërkohë, gara për drejtimin e ri të SPAK ka nisur.
Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili foli në emisionin “Top Story”, tetë prokurorë janë të vendosur të konkurrojnë për këtë post, pasi edhe për ta është periudha e fundit 3-vjeçare në këtë institucion.
Ai thekson se në këtë proces nuk do të mungojë edhe ndikimi i politikës, veçanërisht i mazhorancës, e cila pritet të ketë rol kyç në lobim dhe vendimmarrje.
“Kjo është periudha e heshtjes deri më 8 dhjetor. Kujtojmë se Dumani u zgjodh kryetar përmes një votimi të dytë, falë sistemit të ‘double-vote’.
Tani, tetë nga prokurorët e SPAK janë të interesuar të hyjnë në garë, pasi pas këtyre tre viteve përfundon mandati i tyre dhe ata largohen përfundimisht nga ky institucion.
Kjo e bën konkurrencën shumë të fortë dhe të mbushur me prapaskena. Përveç lobimit ndërkombëtar, ekziston edhe lobimi ekonomik dhe politik, sidomos në KLP. Mazhoranca është e vetmja forcë politike që ka realisht ndikim në këtë proces, ndërsa opozita nuk ka hapësirë për të lobuar”, – u shpreh Qyno.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



