E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kushtetuesja e çon deri në fund puthjen e Shananit për PD-në
Lajme

Kushtetuesja e çon deri në fund puthjen e Shananit për PD-në

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike kundër zgjedhjes së Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, duke lënë në fuqi vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit 2025.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike që kundërshtonin procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit. PD kishte kërkuar verifikimin e procedurës, shfuqizimin e vendimit nr. 111, datë 11 dhjetor 2025, si dhe pezullimin e tij.

Me vendimin e sotëm, zgjedhja e Shabanit mbetet në fuqi dhe ai vijon mandatin në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.

Si nisi përplasja

Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit më 11 dhjetor 2025, me 85 vota pro dhe 3 kundër. Deputetët e PD-së dhe të Partisë Mundësia nuk morën pjesë në votim.

Përplasja mes opozitës dhe mazhorancës kishte nisur përpara votimit dhe lidhej kryesisht me firmat mbështetëse për kandidaturat.

Ligji për Avokatin e Popullit parashikon që kandidaturat e paraqitura në Kuvend të kenë mbështetjen me shkrim të të paktën 28 deputetëve. Deputetë të opozitës kishin firmosur fillimisht edhe për kandidaturën e Shabanit, por më pas PD njoftoi tërheqjen e firmave.

Më 5 dhjetor 2025, Grupi Parlamentar i PD-së i drejtoi Kuvendit një shkresë për tërheqjen e nënshkrimeve dhe mbështetjes për disa kandidatura, mes tyre edhe atë të Endri Shabanit.

PD argumentoi se, pas tërheqjes së firmave, kandidatura nuk duhej të vijonte në procesin përfundimtar të zgjedhjes. Mazhoranca mbajti qëndrim të kundërt dhe procedura vijoi deri në votim.

Çfarë kërkoi PD në Kushtetuese?

Pas zgjedhjes së Shabanit, deputetët e opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.

Sipas objektit zyrtar të çështjes, ata kërkuan:

  • verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërive në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit, përfshirë procedurën e zgjedhjes së Endri Shabanit;
  • shfuqizimin e vendimit nr. 111, datë 11 dhjetor 2025, të Kuvendit;
  • pezullimin e këtij vendimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Më 19 mars 2026, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi që kërkesa të kalonte për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

Kjo çështje ishte e ndryshme nga kërkesa e Adriana Kalasë, të cilën Gjykata Kushtetuese më 25 shkurt 2026 vendosi të mos e kalonte për shqyrtim në seancë plenare.

Vendimi i Kushtetueses

Pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të opozitës, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rrëzojë atë.

Për pasojë, vendimi nr. 111, datë 11 dhjetor 2025, me të cilin Kuvendi zgjodhi Endri Shabanin Avokat të Popullit, mbetet në fuqi.

Kështu, Gjykata nuk pranoi argumentimin e PD-së për shfuqizimin e zgjedhjes së Shabanit, ndërsa ky i fundit vijon mandatin në krye të institucionit.

Përplasja që nisi me tërheqjen e firmave të opozitës, vijoi me votimin e 11 dhjetorit dhe më pas u zhvendos në Gjykatën Kushtetuese, përfundon me lënien në fuqi të zgjedhjes së Endri Shabanit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.