E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kushtetuesja i vë vulën debatit për pagat e magjistratëve
Lajme

Kushtetuesja i vë vulën debatit për pagat e magjistratëve

Gjykata Kushtetuese ka reaguar për debatin e hapur mbi pagat e magjistratëve, duke rikujtuar se për këtë çështje është shprehur më herët përmes vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026.

Në një sqarim zyrtar, Kushtetuesja thekson se vendimi i saj përcakton standardin kushtetues që duhet të zbatohet nga autoritetet përgjegjëse, ndërsa si arsyetimi ashtu edhe dispozitivi përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës.

Sipas Kushtetueses, vendimi duhet të lexohet dhe zbatohet në tërësinë e tij, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të.

Gjykata rikujton gjithashtu se vendimet e saj janë përfundimtare dhe kanë karakter të detyrueshëm. Respektimi i tyre, sipas institucionit, është pjesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe lidhet me shtetin e së drejtës dhe sigurinë juridike.

Në reagim sqarohet edhe një çështje që lidhet me mënyrën e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të vetë Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja thekson se mënyra se si ajo administron pagat e veta, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të përdoret si bazë për të përcaktuar efektet juridike të vendimit nr. 15/2026.

Po ashtu, kjo mënyrë e administrimit të brendshëm nuk ndryshon detyrimet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese u ngarkon autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e tij.

Reagimi vjen në një kohë kur çështja e pagave të magjistratëve ka shkaktuar debat mes institucioneve dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, ndërsa në qendër të diskutimit është mënyra e zbatimit të vendimit të Kushtetueses.

Në thelb, mesazhi i Gjykatës është se vendimi i saj nuk mund të interpretohet pjesërisht dhe se autoritetet përgjegjëse duhet ta zbatojnë atë në përputhje me standardin kushtetues të përcaktuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.