Kuvendi ‘flakë për flakë’ me Kushtetuesen, zvarrit çështjen Balluku
Shtyn mbledhjen e Këshillit të Imunitetit
Kuvendi ka vendosur të shtyjë mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, ku ishte parashikuar shqyrtimi i kërkesës që lidhet me imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Vendimi për shtyrje është kërkuar nga mazhoranca, me argumentin se duhet pritur më parë qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen.
Në njoftimin zyrtar thuhet se kërkesa mbështetet në dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, ndërsa kujtohet se edhe në mbledhjen e parë të këtij këshilli, të mbajtur më 19 dhjetor 2025, disa deputetë kishin kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së SPAK të kushtëzohej nga marrja dhe vlerësimi paraprak i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Kuvendit, kjo qasje synon të sigurojë një proces vendimmarrjeje të plotë dhe objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe për të shmangur çdo cenim të sigurisë juridike.
Ndërkohë, situata ligjore e Belinda Ballukut është rënduar ndjeshëm. Fillimisht, zv/kryeministrja ishte marrë e pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, lidhur me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si dhe ishte nën hetim për procedurën e prokurimit të lotit 4 të Unazës së Madhe.
Më pas, Prokuroria e Posaçme njoftoi se hetimi është zgjeruar edhe për disa procedura të tjera prokurimi, duke e vënë Ballukun nën hetim për të njëjtën vepër penale në shtatë raste të tjera. Këto procedura lidhen me projekte infrastrukturore madhore në Tiranë dhe përfshijnë punimet në zonën Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, ndërtimin e segmenteve rrugore drejt Bulevardit të Ri dhe Shkozës, si dhe disa lote të Unazës së Jashtme të kryeqytetit.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, SPAK thekson se këto hetime përbëjnë bazën për kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres, çështje e cila pritet të rikthehet për shqyrtim pasi të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



