Ky është i riu që tërhoqi 15.5 milionë të reja përmes një llogarie fiktive
Policia e Shtetit njoftoi dje se “Njësia K”, në kudër të operacionit të koduar “Platforma” bëri arrestimin e shtetasit Denis Trungu, banues në Durrës, i cili ka qenë edhe më parë i dënuar për disa vepra penale. Mësohet se ky person, duke përfituar nga situata e pandemisë COVID19 për hapjen e llogarive bankare, me qëllim përfitimin e “pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë. Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital. Pas kësaj, ky shtetas ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë rreth 15.5 milionë lekë të rinj, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
OPERACIONI
Operacioni policor i koduar “Platforma”, i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vuri dje në pranga një 32-vjeçar me precedentë të mëparshëm penal, pasi dyshohet për përfitime të shumave të mëdha nëpërmjet mashtrimit kompjuterik. Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, “Njësia K” ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një bankë e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Policia ka kryer ndalimin e shtetasit Denis Trungu, 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me gjobë për kryerjen e veprës penale “Vetëgjyqësi”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës; I dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës; I dënuar me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat (aktualisht në proces në Gjykatën e Apelit Vlorë).
SKEMA
Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas, duke përfituar dhe nga situata e pandemisë COVID-19 për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital. Pas kësaj, ky shtetas ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pas transferimit të shumave të ndryshme ky shtetas kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë. Gjithashtu, ky shtetas ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



