Ky stan politik këtë bylmet dhish ka!
E nderuar Marjana! Në fillim dua të them se jam në anën tënde lidhur me kërcënimin që thua se të ka ardhur nga grupi i Bajrave. Në fakt, unë nuk e vë dorën në zjarr, por që Bajrat e kanë ndihmuar PS-në në Shkodër dhe ty si nr. 1 në listën për deputetë, kjo është pak, por shumë e sigurt. Të fortët kanë rregullat dhe ligjet e tyre; edhe pse kanë bashkëpunuar me urdhër nga lart, duhet të zbatosh paktet dhe deal-in (pazarin) që ke bërë politikisht! Po, e ke të drejtën të dalësh kundër e ta prishësh marrëveshjen! Po të fortët kanë habitatin e tyre special. Është njësoj si të dalë Sara Mile e pavarur dhe të ankohet ndaj Suelit se po e kërcënon! Sara është dobësuar, nuk shkon me dhi, përkundrazi del në debate në banaqet e mediave të pushtetit dhe luan bukur! Po, është bërë trend Sara! Ose, po të duash më shumë, është njësoj sikur Arkend Balla të dalë kundër Pojave!
Denoncimin e parë duhej ta bëje në SPAK. Sepse, edhe pse të jesh deputete sot je bërë sa “këmbët e dhisë”, prapë ligji të mbron edhe si deputete e pavarur. E nderuar Marjana Koçeku, kjo është skena tipike e radhës e një teatri të vjetër politik, ku kufiri mes parimeve dhe pragmatizmit fshihet sapo mbyllen kutitë e votimit. Nëse një deputete e Kuvendit të Shqipërisë kërcënohet realisht nga grupe kriminale, kjo përbën një skandal të përmasave madhore. Por, pikërisht për shkak të kësaj peshe, situata kërkon institucionalizim, denoncim zyrtar dhe fakte të pakontestueshme. Nëse ke një telefonatë nga burgu, e gjen SPAK-u telefonin. Nuk mundet që një përfaqësues i ligjit të anashkalojë rrugën ligjore për një ngjarje të këtij kalibri.
Që një politikan mund të kërcënohet nga bota e krimit, kjo është normale tek ne. Por kur pretendon se kërcënohesh në emër të PS-së, ngjarja kërkon një zbardhje tjetër, shumë më cinike dhe të zhveshur nga moralizimet e rreme. Lidhja direkte që deputetja i bën Partisë Socialiste me grupet kriminale në Shkodër nuk tregon natyrën e bandave – sepse ajo dihet. Kjo tregon diçka tjetër. Publiku e di mirë se ishin Bajrat ata që investuan, që blenë vota për Partinë Socialiste dhe që në fund prodhuan mandatin që sot mban në xhep Marjana.
Prandaj, kur sot zonja flet për kërcënime, pyetja që lind natyrshëm është:
Ndoshta këta të fundit po kërkojnë thjesht t’u kthehet diçka që u takon sipas pazarit?
Ndoshta “kontrata” fillestare ka qenë pikërisht mediatike me ata që mblodhën votat, dhe jo me vetë socialistët në zyrat e Tiranës?
Logjika të çon në një përfundim të pashmangshëm: Shumë individë nënshkruajnë vetë “kontrata” me djallin për të marrë një karrige deputeti, por kur vjen koha të paguajnë faturën e asaj mbështetjeje, nuk duan ta bëjnë këtë. Në vend të llogaridhënies, ata zgjedhin ta shesin pendesën apo frikën e tyre si virtyt dhe parim politik.
Nëse kontrata e zonjës paskësh qenë vërtet me strukturat që manipuluan votat, atëherë ajo kurrsesi nuk duhet ta pranonte mandatin e një partie që mbështetej mbi të tillë makinerie, për të cilën ka pasur dijeni që në krye të herës. Nuk mund të hysh në Kuvend me votat e bëra gati nga të fortët dhe pastaj të bësh moralisten e pavarur.
Siç thotë me të drejtë populli: “Ky stan politik këtë bylmet dhish ka”. Në përpjekje për të bërë heroinën e ditës apo për të “hequr vetullat” e një bande ku ke hyrë me vetëdije, thjesht po vërteton se po nxjerr sytë e asaj pak besueshmërie që u ka mbetur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



