Lajmi i rremë për Flamur Golemin, Antiterrori zbarkon në Gjirokastër
Struktura e Antiterrorit nga Tirana ka zhvilluar prej disa ditësh veprime në qytetin e Gjirokastrës, në kuadër të një hetimi që lidhet me shpërndarjen e një informacioni të dyshuar si të rremë në rrjetet sociale. Rasti ka tërhequr vëmendje të gjerë për shkak të reagimeve që ka shkaktuar në opinionin publik.
Sipas burimeve, verifikimet janë përqendruar te disa publikime në rrjete sociale, ku pretendohej për praninë e një sëmundjeje infektive në Bashkinë e Gjirokastrës, si edhe përfshirjen e vetë kryebashkiakut Flamur Golemi. Deri më tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga institucionet shëndetësore.
Në funksion të hetimeve, janë marrë në pyetje disa persona, me synim identifikimin e burimit fillestar të informacionit dhe mënyrës se si ai është shpërndarë dhe amplifikuar në publik. Burime pranë çështjes bëjnë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet, për shkak të ndikimit që lajme të tilla mund të kenë në krijimin e pasigurisë dhe tensionit në komunitet.
Një tjetër element që po shqyrtohet është nëse përhapja e informacionit ka qenë spontane apo e organizuar, si dhe nëse ka pasur individë apo grupe të përfshira në përforcimin e tij në rrjet.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dalë ende me një qëndrim përfundimtar mbi ecurinë e hetimeve.
Rasti lidhet edhe me një kallëzim penal të depozituar rreth një muaj më parë nga kryebashkiaku Flamur Golemi, përmes përfaqësuesit të tij ligjor Arben Llangozi. Në këtë kallëzim kërkohet hetim për përhapje informacioni të rremë dhe krijim paniku, duke argumentuar se publikimet kanë dëmtuar imazhin e tij dhe institucionin që drejton.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



