E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lapaj dhe Shabani nuk janë përjashtimi,janë pasqyra!
Lajme

Lapaj dhe Shabani nuk janë përjashtimi,janë pasqyra!

Në fillim ishin bashkë, por pastaj erdhi brezi me të tijat.

Jo si vit lindjeje, por si plagë e përbashkët që nuk po mbyllet kurrë.
Si gjurmë e thellë e një kohe që na rriti me ankthin se do mbeteshim mbrapa dhe me etjen që të shquheshim patjetër.
Brezi i viteve 1985–1995: me prindër të lodhur nga diktatura, me shtet pa rregulla dhe me një porosi që na përsëritej si amanet: “shkollohu që të mos jesh si ne”.
Dhe u shkolluam.
Dhe dolëm jashtë.
Dhe u kthyem me fjalor të bukur, me diploma të larta, me ide të mëdha.
Por… diçka nuk u rrit bashkë me ne: karakteri i durueshëm. Besimi. Gatishmëria për të ndërtuar me dikë dhe jo mbi dikë.

Ky është brezi ku flasim për skuadër, por nuk di të bashkëjetojë me suksesin e tjetrit.
Që flasim për transparencë, por i zgjidhim konfliktet në prapaskenë.
Që themi “jemi bashkë”, por sapo dikush shkëlqen më shumë, i heqim dritën.
Që themi “besojmë te ndryshimi”, por e përmbys çdo marrëveshje kur interesi personal nis të kërcënohet.

Edhe martesat e tona shpesh janë reflektim i kësaj: fillojnë me super motivim, me premtime, me deklarata, por thahen pa përmbajtje sepse mungon thellësia, durimi dhe gatishmëria për të falur.
Ky është brezi që u rrit me boshllëk emocional, me frikë nga dështimi dhe me ndjenjën se çdo fitore është garë, jo bashkëpunim.

Në sipërmarrje, e ngremë tjetrin me duar dhe pastaj ia lidhim këmbët me vizione të rremë.
Sipërmarrësit e këtij brezi nuk e shohin bashkëpunëtorin e aftë si aleat, por si kërcënim të heshtur.
Dhe për ta mbajtur nën kontroll, përdorin një taktikë sa të rafinuar, aq edhe toksike,të tipit: e shtyjmë të marrë kredi për shtëpi, makinë, apo komoditete të tjera, e pastaj për ta lidhur emocionalisht dhe financiarisht me veten si shpëtimtarin e vetëm prej gropës thithëse që vetë e kemi futur.

Lapaj dhe Shabani nuk janë përjashtimi. Janë pasqyra.
Jo thjesht dy njerëz që u ndanë, por dy djem të një brezi që nuk di të qëndrojë bashkë për gjatë.
Brezi që bëhet bashkë kur duhet “t’i japë një mesazh” dikujt, por jo kur duhet të ndërtojë diçka me dikë.
Kur vjen momenti për të ndarë barrën, karrigen apo medaljen, nuk mjafton më as fjala, as flamuri, as parimi.
Sepse aty nis ajo që ky brez di më mirë: të largohet, të përçajë, ose ta shembë atë që s’mund ta kontrollojë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.