Sot në mesditë, pas drekës së “Syrit”, Çim Peka ka shkruar një editorial pa emër, po në emër te “Syri.net” me titullin: “Gazetar, apo avokatë të drogës?!”.
Dhe më ka futur mua si botues të gazetës “Koha Jonë”, bashkë me analistët Andi Bushati, Shpëtim Nazarko, Mustafa Nano dhe Ben Blushin si “avokatë të drogës”, pasi sipas tij po mbrojmë ministrin Fatmir Xhafaj.
E lexova shkrimin e portalit “Syri.net” për korrektësi të profesionit dhe ndërgjegjies sime, dy herë. Dikush nga emrat e përmendur në shkrim, me tha me humor se “nuk ia vlen të merresh me të dhe mos harxho kohë kot t’i ktheni përgjigje”. Ndërkohë kam mendim tjetër nga kolegu, pasi shkrimi është si editorial, ndonëse e di mirë se kush e ka shkruar pa emër. Pra është qëndrim dhe jo opinion i një X gazetari, apo analisti të përveçëm, të cilit edhe mund të mos i ktheja përgjigje. Por “Syri.net” për mendimin tim është portal popullor dhe duam apo nuk duam ka lexues të shumtë. Ndaj në respekt të vetes sime si gazetar me shumë vite mbi supe dhe si themelues i të parës gazetë të lirë e private në Shqipëri, gazetës “Koha Jonë”, por edhe në respekt të lexuesve të “Syri.net” me duhet të përgjigjem.
Së pari, shkrimi dukej i shkruar nga një dorë nxitimthi e nxehur, me mllef dhe pa argumenta. Nxitimthi, sepse kishte shumë gabime drejtshkrimore, aq sa nga mllefi nuk kanë patur kohë për t’i korrigjuar “argumentat” e tyre në artikullin me titull: “Gazetar, apo avokatë të drogës?!”
Së dyti, nuk marr përsipër të mbroj Ben Blushin, Andi Bushatin, Mustafa Nanon dhe as Shpëtim Nazarkon. Secili prej tyre mbrohet vetë, bile kanë penë më të hidhur se unë, ndonëse mesa kuptova nuk donin të reagonin fare ndaj një shkrimi të tillë.
Së treti, me duhet të them se qëndrimi i gazetës “Koha Jonë” ndaj rastit të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj ka qenë dhe mbetet i njëjtë: Ministër korrekt dhe si i fundmi i plejadës së socialistëve, pasi rilindasit në selinë rozë e morën kalanë e PS-së.
Së katërti, në lidhje me rastin e të vëllait, Agron Xhafaj mendoj, për aq informacion sa kemi deri më sot, se përgjegjësia mbetet në botën kapitaliste dhe demokratike, krejtësisht individuale. Është njëlloj, ndonëse çdo krahasimi çalon, që sikur Avenir Peka, një nga zyrtarët më korrekt dhe të ndërgjegjshëm që kam njohur në selinë blu, të ndëshkohet apo të penalizohet prej të vëllait të tij, Çim Peka, i cili drejton portalin e “Syri.net”.
Së pesti, raportet e “Koha Jonë” me Ilir Metën dhe LSI… Çdo gazette, apo portal ka një linjë editorial dhe pavarësi brenda linjës që ndjek. Është gabim, apo jo këtë e vendos lexuesi, i cili të ndjek, ose nuk vjen fare te web-i yt. Natyrisht që ka edhe portale skandaloze, apo që financohen nga krimi dhe gjejnë mënyra djallëzore për të patur lexues, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Portali “Syri.net” nuk futet në këtë kategori, pasi po të kishim patur informacion nuk do kishim hezituar për ta botuar, pa as më të voglën droje. Është portal me linjë editoriale opozitare, shumë PD dhe mbetet në të drejtën e pronarit dhe të drejtuesit, Çim Peka se si e mban “shënjestrën”. Siç kam edhe unë të drejtën time në këtë katrahurë mediatike, të traditës dhe të rrjeteve sociale për të patur një qëndrim editorial.
Më duhet të zgjatem paksa në këtë punën e linjës editoriale të “Koha Jonë”, pasi mbetet pavarësi totale e imja dhe jo si disa, në raport me pronarin, apo pronarët, që e ndërrojnë qëndrimin sipas lejes së ndërtimit, apo koncensionit të radhës nga qeveria. “Koha Jonë” ka lindur si e lirë dhe fatmirësisht ka dhënë prova faktike në 27 vite jetë të saj. Gazeta ka bërë epokën e duelit të madh ndër vitet 1993-1997 me pushtetin autoritar të Sali Berishës. Ndonëse u dogj, por ama fitoi si “kështjellë e medias së lirë”. Asokohe etiketohej si gazetë e Nanos dhe e PS-së! Kështu ua donte puna disa analistëve dhe portalshkruesve të mëvonshëm. Por “Koha Jonë” ndër vitet 2003-2005 ishte në ballë të kritikave ndaj pushtetit të korruptuar dhe kriminal të Fatos Nanos. Bile puna shkoi deri aty sa kryeministri Nano në vitin 2004 të kërkonte imunitetin tim dhe arrestimin si botues, ndonëse asokohe isha edhe deputet?
Apo jo i nderuar artikullshkrues i katit të 14-të të Kullës së madhe përballë TVSH-së?
Tani artikullshkruesi mërzitet se nga njëra anë “Koha Jonë” mbështet Ilir Metën dhe nga ana tjetër bën shkrime pro ministrit Fatmir Xhafaj! Po pse, sipas “Syrit”, unë duhet të marr leje te Ilir Meta?!
Ilir Meta është President. E respektoj si person që ka çarë udhën e politikës nga fshatrat e Skraparit, pa asnjë mbështetje. Nuk e ka patur babain në Komitetin Qendror të Partisë, apo doktor të Udhëheqjes dhe ka bërë histori. Natyrisht edhe duke gabuar. Por Ilir Meta ka punën dhe udhën e tij, sikurse “Koha Jonë” të veten dhe nuk ka pse hidhet piper sikur qëndrimet e gazetës pro ministrit Fatmir Xhafaj janë fije të Ilir Metës për paqe me ministrin. Ilir Meta nuk do t’ia dijë për njeri, për aq sa e njoh. Mundet që Çim Peka ta njohë më mirë, derisa edhe për vrap dalin bashkë me Presidentin.
Ilir Meta ka punën e tij dhe nëse gabon si President nuk dua që nesër “Syri” të shkruajë “Pse “Koha Jonë” po sulmon fort Ilir Metën?” dhe të fillojë hedhjen e “raketave” nga “Syri” se pse prekëm mikun e tij, Ilir Meta.
Ndërsa në raport me LSI, i nderuar drejtues i “Syrit”, gazeta “Koha Jonë” ka bindjen se, ndërkohë që kemi dy parti të vjetra tradicionale, PD e PS, të cilat janë gati të djegin e shkatërrojnë vendin për hir të interesave të tyre personale; Shqipërisë, pra SHTËPISË së përbashkët i duhet patjetër një parti e tretë politike, siç është sot LSI. Dhe sa për të tjerat në LSI do të ishte mirë që drejtuesi i “Syrit” t’i sqaronte më mirë me drejtuesit e LSI, me të cilët pi kafen e mëngjesit, apo ha darkën.
E fundit, mendoj se nuk është etike nga ana e portalit popullor “Syri.net” që të përdorë termin “avokatë të drogës”. Edhe vetë Çim Peka e di mjaft mirë se me atë botë krimi e mafieje, as kam patur e as nuk do kem kurrë punë e lidhje.
Gjithsesi, nuk e kisha ndërmend të shkruaja kaq gjatë, pasi siç më tha një nga kolegët e përmendur në shkrimin e “Syrit”, – “mos harxho kohë”, por koha duhet harxhuar kur akuza është bërë nga mllefi i sponsorizuar i një lideri politik që sot kishte 1-vjetorin e “dashurisë” së 18 majit 2017 me Edi Ramën.
Për sot dhe këtë herë me kaq!





