Liderët e korruptuar dhe ndikimi rus kërcënojnë Ballkanin Perëndimor
Uashingtoni paralajmëron rajonin
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka përfshirë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në një kapitull të veçantë të projektligjit të Autorizimeve për Mbrojtjen Kombëtare (NDAA), duke e konsideruar rajonin si një zonë kyçe për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Evropë.
Sipas dokumentit të siguruar nga Senati amerikan, bashkëpunimi me gjashtë shtetet e rajonit, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, është në interes të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Draft-ligji nënvizon se, megjithë përparimin ekonomik dhe përpjekjet për integrim evropian, Ballkani mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit të nivelit të lartë, dezinformimit të sponsorizuar nga aktorë të huaj, dobësive në infrastrukturën kibernetike dhe varësisë energjetike nga Rusia. Kongresi i SHBA thekson se lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i qeverisjes demokratike janë kushtet themelore për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, si dhe për ta shmangur ndikimin rus dhe kinez.
Dokumenti paralajmëron rreziqet e rritura nga ndërhyrjet e Moskës dhe ndikimi i Pekinit, sidomos përmes varësisë energjetike dhe investimeve strategjike në infrastrukturë, të cilat mund të pengojnë konkurrencën demokratike dhe integrimin evropian. Shtetet e Bashkuara shprehin mbështetje për nisma rajonale si Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, për sa kohë ato funksionojnë mbi standarde të larta transparence dhe përfshirjeje.
Një shqetësim i veçantë sipas Kongresit është situata në Serbi, ku zgjedhjet parlamentare dhe lokale të dhjetorit 2023 janë vlerësuar nga OSBE si problematike, me shkelje serioze të procesit zgjedhor dhe përpjekje për të kriminalizuar protestat e opozitës dhe zërat e shoqërisë civile, duke krijuar rrezik për stabilitetin rajonal.
Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për BE, përmendet si partner kyç në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe forcimit të institucioneve demokratike në rajon. Ndihma amerikane do të përqendrohet në rritjen e kapaciteteve të sigurisë, përmes bashkëpunimit me Komandën Kibernetike Amerikane dhe programeve të Departamentit të Shtetit që mbështesin transparencën, llogaridhënien dhe zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës.
Drafti i ligjit dërgon një sinjal të qartë: Shqipëria dhe fqinjët e saj vendosen në qendër të strategjive amerikane për konkurrencën gjeopolitike me Rusinë dhe Kinën në Evropën Juglindore. Ligji pritet të miratohet zyrtarisht në Kongres në fillim të vitit 2026.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



