Regjisori Robert Budina është liruar pak më parë nga qelia ku qëndronte prej mëngjesit të sotëm kur fadromat e IKMT shembën godinën e Teatrit Kombëtar.
Përpara aktivistëve dhe aktorëve, Budina ka thënë se ata që shembën Teatrin donin të ngjallnin urrejtje dhe vëllavrasje mes shqiptarëve. “Sot ata bënë një ndërhyrje mafioze. Dëshira me të cilën shkatërronin teatrin ishte e paimagjinueshme. Me urrejtje dhe dëshirë për të ngjallur vëllavrasje. Sapo dolën nga godina disa efektivë të policisë na drejtuan armët. Sjellje tipike e një shteti mafioz”, tha Budina.
Më tej, Budina tha se u shemb Teatri por jo simboli i tij sepse ai jeton në zemrat e artistëve, ndërsa sfidoi dhe Policinë duke thënë se aktivistët dhe aktorët do të rifitojnë sërish kështjellën e demokracisë.
“Ata shembën muret por jo simbolin. Të dashur zotërinj policë do jeni të detyruar të rrini natë e ditë këtu se ne do ‘ta ripushtojmë’ dhe njëherë atë territor. Do të sfiliteni duke ndenjur aty natë ditë se ne do fitojmë kështjellën e demokracisë. Simboli nuk bie se është brenda zemrave tona.
Ju jeni bashkëpunëtor të mafias. Ju informojmë se kam marrë kontakte nga media më të rëndëishme ndërkombëtare dhe europiane. Ato janë realisht të shqetësuara. Sot kryeministri shqiptar i ka hapur luftë popullit të tij me vetëdije të plotë”, përmbylli regjisori Edmond Budina.
Kryeministri Rama ka reaguar pak çaste për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe deklaratat e forta të bërë nga regjisorë e artistë të shumtë që vazhdojnë ende qëndresën.
Në reagimin e tij, Rama i ka kthyer përgjigje regjisorit Edmond Budina, i cili menjëherë pas lirimit nga Policia ka shkuar te Teatri dhe ka bërë thirrje për mosbindje civile. Rama i thotë Budinës se atij nuk i takon të shajë dhe të fyejë se fyerja nuk është art.
“Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës”, shkruan Rama nër të tjera.
REAGIMI I PLOTË:
Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë, që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…
Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit..
Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd…
Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!



