LIVE/ Bomba molotov dhe gaz lotsjellës para Parlamentit. Shpërthime të forta të….(FOTO-VIDEO)
Ora 21:17 – Bomba molotov nga ana e protestuesve dhe gaz lotsjellës nga ana e policisë. Kjo është ajo që po ndodh përpara ndërtesës së Parlamentit të Shqipërisë.
Krahas kësaj, protestuesit po hedhin edhe fishekzjarrë duke shkaktuar zhurma të forta.

Pjesa më e madhe e protestuesve janë zhvendosur nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit. Përpara ndërtesës së Parlamentit ndodhet kreu i PD-së, Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha.


Ora 20:59 -Pas rreth dy orë e gjysmë, protestuesit e opozitës janë larguar nga ndërtesa e Kryeministrisë. Ata po marshojnë drejt Parlamentit.


Ora 20:05- Kur kanë kaluar rreth 1 e 30 minuta nga nisja e protestës së katërt të opozitës, protestuesit e opozitës po zhvendosen në pjesën e pasme të Kryeministrisë në afërsi të ndërtesës së TVSH-së.

Protestuesit po rrëzojnë kangjellat mbrojtëse të vendosura në pjesën e pasme të Kryeministrisë.

Ora 19:50 Protestuesit e opozitës kanë hedhur sërish bomba moltov në drejtim të Kryeministrisë.
Në një kohë që Lulzim Basha vazhdon fjalimin, dera e Kryeministrisë është përfshirë në flakë, ndërkohë që efektivët e policisë dhe zjarrefikëset kanë hedhur ujë për të ndaluar flakët.
Efektivët e policisë janë pajisur me maska anti-gaz.

19:35 – Situata përpara ndërtesës së Kryeministrisë është e tensionuar. Teksa janë hedhur shumë bomba molotov tek dera e ndërtesës së qeverisë, disa protestues janë përplasur me forcat e rendit.

Në të njëjtën kohë, po mbante fjalim edhe Lulzim Basha, i cili u kërkoi protestuesve që të mos sulmojnë punonjësit e policisë.
Basha: Asnjë prej nesh këtu nuk ka ardhur të lëndojë e të prekë asnjë prej vëllezërve dhe motrave tona me uniformë. Qëllimi ynë këtu është të dërgojmë një mesazh të prerë dhe final kryehajdutit, kryebanditit në krye të qeverisë s ëpaligjshme, Edi Ramës dhe skotës së tij të hajdutëve. Dhe mesazhi ynë për të është “Rama ik”.
Ndaj le të vazhdojmë miqtë e mi qëndresën tonë, misionin tonë, protestën tonë, sepse misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë.këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, këtë betejë ne nuk e bëjmë për parti, këtë betejë ne nuk e bëjmë për karrige, këtë betejë nuk e bëjmë për mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra nga krimi dhe paratë e drogës, por ne ua kthyem qytetarëve

Ora 19:15 – Tensionohet situata para Kryeministrisë. Protestuesit janë përleshur me forcat e rendit.


Ata kanë arritur të çajnë kordonin policor, ndërkohë që ndaj godinës së kryeministrisë janë hedhur lëndë plasëse molotov.
Lëndë djegëse molotov është hedhur dhe në drejtim të godinës së Parlamentit.
Ora 19:03 – Pas gati rreth 30 minuta nga nisja e protestës, disa protestues kanë hedhur bojë në drejtim të mureve të ndërtesës së Kryeministrisë.

Ndërkohë, kreu i PD-së, Lulzim Basha është nisur nga selia e partisë për t’iu bashkuar protestuesve.
Basha është i shoqëruar edhe nga qindra studentë demokratë nga vendet e BE-së.
Nga ana tjetër, edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë nga godina e partisë së drejtuar prej saj për t’u bashkuar në sheshin Dëshmorët e Kombit.
Ora 18:45 –Protestës së opozitës u janë bashkuar edhe aktorët dhe shoqëria civile pjesë e “Aleancës për Teatrin”.

Ora 18:32- Protestuesit e opozitës janë grumbulluar në orën 18: 30 minuta në selinë e Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha ka dal personalisht nga zyra për të takuar ish-deputetin, Klevis Balliu dhe banorët e “Astirit”.
Ndërkohë që turma ka filluar të mblidhet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Me flamur kombëtar dhe të Partisë Demokratike, protestuesit po mblidhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Me thirrje “Rama Ik”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo “Shqiptarët e bashkuar kanë për të fituar”, protestuesit e opozitës po zhvillojnë sot protestën e 4 kombëtare.
Shumë prej protestuesve janë të pajisur me kundra gaz.



Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



