LSI “makthi” i votave te socialistëve dhe demokratëve
LSI duket se është “kurbani” kryesor i marrëveshjes Rama-Basha për zgjedhjet e vitit 2017. Një forcë politike, e cila lindi nga qejfmbetja e Ilir Metës me Fatos Nanon. U kthye në polin politik që formonte qeverinë. Këtu fillojnë edhe pazaret dhe pjesa e pushtetit që LSI kërkonte për të vjedhur pa ndalim me një qëllim të vetëm, krijimin e një force politike sa më të madhe, qëllim që Ilir Meta duket se e realizoi sistematikisht, derisa Rama dhe Basha vendosën ta kryqëzojnë.
Nuk është hera e parë që Ilir Meta sulmohet nga të mëdhenjtë. Në vitin 2008, ai u kryqëzua nga Berisha dhe Rama. Nuk shkoi dot më shumë se katër mandate, dy prej të cilëve me shumë të dhëna ia dhuroi Berisha.
Duke lexuar rezultatin sistematik rritës të LSI, Rama dhe Basha në fund kuptuan se “kanceri” i pushtetit, rronitja dhe venitja e tij është Ilir Meta dhe sektorët që ai drejton. Kushdo rreth LSI ka akuza korrupsioni dhe pjesa e pushtetit nuk trajtohet si ndarje politike për qeverisje më të mirë, por LSI e quan plaçkën e saj, të cilën e grabit çdo sekondë pa ndalim.
Por, le të kthehemi te shifrat dhe të shohim si ka ecur partia e Metës dhe pse në fund Rama e Basha vendosën të zhvillojnë një betejë të përbashkët për ta nxjerrë nga skena politike apo për ta dobësuar maksimalisht.
Në vitin 2009, LSI ka rreth 74 mijë vota dhe ka siguruar 4 mandate deputetësh. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, LSI ka 125 mijë vota dhe është shkaktari kryesor i humbjes së Edi Ramës në bashkinë e kryeqytetit.
Në zgjedhjet e vitit 2013, pas bashkimit me Ramën, LSI shkon rreth 180 mijë vota.
Në vitin 2015, LSI ka 260 mijë vota.
Kjo forcë politike në të gjitha zgjedhjet është zgjeruar sa në njërin krah dhe sa në krahun tjetër. Pas 2009, duke shfrytëzuar koalicionin me Sali Berishën, Ilir Meta në pushtet. Në vitin 2011, garon së bashku me demokratët, duke gërryer PS me rreth 40 mijë vota. Por, me shumë gjasa dhe shumë demokratë, të cilët kërkonin të hynin në punë në atë kohë për shkak të hapësirave që kishte LSI mbështetën Metën me votat për këshillin bashkiak.
Në vitin 2013, pas bashkimit me Edi Ramën, Ilir Meta realizon ngritjen më të madhe, duke shkuar në 180 470 vota, duke qenë shkaktari kryesor i humbjes së demokratëve në zgjedhje. PD rrudhej në çdo qark me 5 apo 10 mijë vota, të cilat në vitin 2013 i fitonte LSI.
Në vitin 2015, pas zgjedhjeve lokale të dy viteve më parë në koalicion me Ramën, LSI siguron 259 mijë vota në këshillat bashkiakë, duke rrudhur socialistët këtë herë, të cilët duket se kishin lënë shumë terren për partinë e Metës, gabim të cilin e bëri më parë dhe PD.
Në të gjitha rastet, nëse do lexojmë rezultatet e zgjedhjeve, LSI është zgjeruar aty kur ka qenë në koalicion, ndërsa në 2013 është rasti kur ajo forcë u pa si pragmatizëm elektoral, si forcë që gjithmonë do të ishte në pushtet dhe rrudhi votat e demokratëve dhe PD, duke siguruar më shumë pushtet për mazhorancën dhe socialistët.
Marrëveshja Rama-Basha duket në thelb të saj të ketë LSI. Këtë zgjerim të saj, njëherë majtas e njëherë djathtas, sa këtej e sa andej, një forcë politike që pushtetin e trajton si plaçkë, por duhet parë ende se si do të shfaqet LSI dhe çfarë do të na japin kutitë për këtë forcë politike, e cila u kthye në thesin e votave pragmatiste dhe atyre që siguronin pushtet nëpërmjet abuzimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



