Luis Enrike, trajneri i PSG-së, foli për mikrofonat e “Sky Sport” në prag të finales së Champions Leagues kundër Interit. Si fillim foli për emocionet dhe ndjenjat e kësaj sfide të rëndësishme.
“Duke hyrë në këtë stadium ndjeva menjëherë fatin që kemi për të luajtur ndeshjen më të mirë që mund të luanim. Do të përballemi me një skuadër të madhe. Është pak më ndryshe të përballesh me Interin që luan me dy sulmues të mirëfilltë, por qëllimi ynë është ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë, për ta çuar atë në drejtimin që duam ne. Duhet ta kemi topin, edhe pse ata dinë të ushtrojnë presion shumë mirë. E kemi përgatitur çdo mundësi për t’i ndaluar. Çelësi do të jetë të përshtatemi me rrethanat që do të lindin gjatë lojës. Që në prezantimin tim kam thënë që objektivi është të fitojmë trofetë e rëndësishëm, dhe ajo që na mungon është Champions-i. Ka presion, por unë e përjetoj me qetësi dhe vetëdije. Gjithçka që ka rëndësi është të vazhdojmë të luajmë siç dimë”, tha fillimisht trajneri i francezëve.
DONARUMA- Ai ka folur gjithashtu edhe për Donarumën duke e konsideruar si një nga pikat e forta të skuadrës së PSG-së. Megjithatë ai tha se ai duhet të dijë të menaxhojë edhe presionin dhe kritikat e shumta që i bëhen hera-herës. “Kur je në nivelin më të lartë, duhet ta dish që kritikat janë të shumta. Kemi arritur t’i japim një kthesë të mëtejshme grupit. Tension? Të tanët janë të rinj, por me përvojë. Përvoja fitohet duke luajtur. Nuk kam pasur kurrë frikë të aktivizoj lojtarë të rinj, duhet të luajnë më të mirët, pa menduar për moshën”, përfundoi ai.