Lulzim Basha: Largimi i Ramës është i panegociueshëm. Është mision kombëtar për të mos lejuar zgjedhje false
Kreu i PD-së, Luzlim Basha, në një tryezë me gazetarët theksoi edhe një herë se kushti i opozitës është largimi i Edi Ramës si kryeministër.
I pyetur nëse do të ishte e gatshme opozita të ulej në një tryezë me kryeministrin për të shmangur përplasje civile, Basha u përgjigj se kjo do ta kthente betejën në pazar, ndërsa theksoi prerë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Kreu i demokratëve shtoi se është mision kombëtar për të mos lejuar, sipas tij, zgjedhje false.

“Ose te futemi me kobure në brez, që siç ju thashë, ne e kemi refuzuar, ose rruga politike që kemi ndjekur duke djegur mandatet dhe duke thirrur qytetarët të vendosin ata kë do të zgjedhin deputet apo kryebashkiak. Kjo betejë bëhet që kjo e drejtë t’u kthehet qytetarëve, sepse kjo e drejtë është asgjesuar nga Edi Rama me krimin. Do ta përsëris për të gjithë ata që kanë iluzionin se me Edi Ramën do të ketë zgjedhje më 30 qershor.
Do të ketë një tentativë të Edi Ramës për të përsëritur 2017 dhe 2016. Ndryshimi këtë herë është që përvec kandidatëve të krimit, do të ketë kandidatë fals nga opozita false. Kjo nuk do të ndodhë. Për ne është mision kombëtar të mos lejojmë zgjedhje të diktuara nga krimi. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme. Ne kemi treguar edhe rrugën e vetme që këto mund të garantohen pa favorizuar palët, pa i dhënë pushtet në tavolinë asnjë pale.
Ka dy palë zgjedhje që Edi Rama merr pushtet në tavolinë me krimin. Kjo nuk ka për të ndodhur më. Hapi i parë i zgjidhjes së krizës është largimi i kryeministrit të lidhur me krimin. I mirëkuptoj ata që më thonë se po kërkon shumë pak. Sepse ky duhet të ishte në burg për ato që kanë bërë. Kjo që po kërkojmë është e panegociueshme. Është e panegociueshme, sepse nuk ka mënyrë tjetër për t’i shërbyer interesit publik. Gjithçka tjetër do ta shndërronte këtë në atë që jemi akuzuar me të padrejtë, për një Pazar”, tha Basha.
Gjatë konferencës së tij për shtyp, kreu i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi kryeministrin se fundi i tij do të jetë më i keq se ai i ish kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski.
Sipas Bashës, pushtet me dhunë nuk mund të mbahet.
“Edi Ramën e ka mundur lodhja, pushteti, zullumi dhe varfëria e popullit, e ka mundur arroganca. Sot unë dhe PD e gjithë opozita jemi nisur për të rikthyer normalitetin politik në vend, për të rikthyer demokracinë dhe shpresën e këtij vendi. Sot orë, pas dramës së mbrëmshme, dhunës së parë kundër opozitarëve dhe në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër dua ti bëj një paralajmërim Ramës. Mos i kalo caqet, mos bëj të fortin. Harroje se do të mbash pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha kreu i PD-së.
Sipas Bashës, sot Rama kontrollon çdo pushtet.
“Kemi fatin e mirë të jemi në zemër të kontinentit dhe aleancës euro-atlantike. I vetmi mekanizëm që njeh perëndimi, votën e lirë, mund të gëzojmë edhe ne të njëjtën liri. Që pushteti të mos jetë absolut ai duhet të jetë i ndarë në 3 kolona kryesore. Të treja këto pushtet sot janë në duart e një njeriu”, u shpreh Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



