Mahmood për herë të parë në Shqipëri, zbulohet çfarë ka përgatitur për skenën e Festivalit të Këngës
Këtë vit, Festivali i Këngës në RTSH ka rezervuar surpriza të shumta për ndjekësit e tij të rregullt.
Producentet e këtij edicioni, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu, që po merren me organizimin e gjithë festivalit, kanë premtuar se do ta shndërrojnë në një spektakël të vërtetë dhe siç duket, kështu do të ndodhë.
Pak ditë më parë u zbulua se Giusy Ferreri, Mahmood dhe Eleni Foureira do të jenë disa nga të ftuarit specialë të Festivalit të 58-të të Këngës.
Tashmë na ndajnë vetëm fare pak ditë nga festivali dhe surprizat po zbulohen pak nga pak. Sipas “RTSH.al”, fituesi i vitit të kaluar të Sanremos që përfaqësoi Italinë në Eurovision, Mahmood, do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve ditën e enjte, 19 dhjetor.
Këngëtari i njohur do të performojë një kolazh me hitet e tij të fundit, duke përfshirë “Soldi” dhe “Barrio”. Kjo është hera e parë që Mahmood këndon në Shqipëri dhe performanca e tij do të shoqërohet me efekte speciale në skenë. Këtë vit, Festivali i Këngës me siguri do të rezultojë një sukses i vërtetë dhe prandaj duhet ta ndiqni nga afër në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve.
Këngëtari seksi 27-vjeçar, me emrin Alessandro Mahmoud, jeton në Milano të Italisë dhe ka marrë mjaft famë në gjininë PopR&Bhip hop. Artisti me baba nga bota arabe dhe nënë italiane u zbulua si talent në edicionin e gjashtë të versionit italian “The X Factor”.
Në vitin 2019, ai fitoi “Sanremon” me këngën “Soldi”, duke përfaqësuar Italinë në Festivalin Europian. Le të shohim se cilit këngëtar shqiptar do t’i sjellë fat…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



