Ministri për Diasporën Pandeli Majko dhe gazetari Mero BazeNjë përplasje ka nisur mes gazetarit Mero Baze dhe ministrit për Diasporën Pandeli Majkos. Mero Baze në një shkrim të tij shkruante se Majko mund të jetë i “përzgjedhuri” i opozitës me të cilin mund të futen në zgjedhje.
Luzlim Basha do zgjedhje, i do tani, i do pa Edi Ramën dhe do që të caktojë dhe një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon, me siguri ngaqë ka dëgjuar kur ka qenë emigrant se ai është kryeministër dezhurn, sa here është nevoja.
Pjesë nga shkrimi i Mero Bazes
Për këtë shkrim të Bazes menjëherë reagoi Pandeli Majko i cili theksoi se nuk do të marrë rolin e ‘delfinit’, ndërkohë që e cilëson si nder të jetë kryeministër i socialistëve, nuk do të pranojë të shërbejë për pazarin e radhës politik.
Roli i “delfinit” është një kostum i cili nuk më është përshtatur në politikë. Kam bërë “dezhurn” (sic shkruan Baze) që 30 vjec në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, jo për “fajin” tim. Kam shërbyer, dhe kur kam lënë zyrën, vendi ka qenë më mirë se sa ditën kur e kam marrë detyrën.
Titullin “kryeministër i socialistëve” e konsideroj një nder, të cilin nuk kam ndërmend ta shkëmbej në pazarin e maskave të politikës. Ditët e vështira i konsideroj provë për besimin dhe jo bukshkalësinë.
Pjesë nga reagimi i Majkos
Replikat kanë vijuar pasi gazetari Baze është shprehur se as ai dhe as “Gazeta Tema” nuk kanë shkruar që Pandeli Majko është i preferuari i opozitës për kryeministër. Ai sqaron se e ka perceptuar si tallje të Monika Kryemadhit kur e ka thënë me zë dhe figurë në televizor këtë gjë.
As unë, as gazeta Tema, nuk kemi shkruar që Pandeli Majko është i preferuari i opozitës për kryeministër. Unë e kam perceptuar si tallje të Monika Kryemadhit kur e ka thënë me zë dhe figurë në tv këtë gjë. Por me sa po shikoj nga reagimi zotit Majko, atij i ka ardhur keq që nuk e kam marrë seriozisht idenë e Monikës. Kjo më ka ndodhur ngaqë kam marrë seriozisht Majkon. Nuk e përsëris më.
Replika e Mero Bazes
Reagimi i plotë i Majkos:
Një editorial i gazetarit Mero Baze më ka shpallur të “përzgjedhurin” e opozitës për të drejtuar mazhorancën. Padyshim që artikulli nuk është në “ajër” pasi pena e Bazes nuk ngjyen në bojën e imagjinatës. Me një siguri, të cilën e zotëron kur ka informacion ai në shkrimin e tij nënvizon se “Lulëzim Basha do zgjedhje…me një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon…” (!)
Jetojmë në kohë të vështira dhe ankthi për politikën! Në dijeninë time, nuk më ka marrë malli të bëj gjëra të cilat i kam përbuzur që ditën që i kam hyrë politikës. Zoti Baze e di këtë edhe kur ai (pa ironi) ishte një bashkëpunëtor luajal i Sali Berishës.
Roli i “delfinit” është një kostum i cili nuk më është përshtatur në politikë. Kam bërë “dezhurn” (sic shkruan Baze) që 30 vjec në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, jo për “fajin” tim. Kam shërbyer, dhe kur kam lënë zyrën, vendi ka qenë më mirë se sa ditën kur e kam marrë detyrën.
Titullin “kryeministër i socialistëve” e konsideroj një nder, të cilin nuk kam ndërmend ta shkëmbej në pazarin e maskave të politikës. Ditët e vështira i konsideroj provë për besimin dhe jo bukshkalësinë.
Pena e Meros është e rrallë në gjetjën e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj. Kësaj të fundit nuk kam cfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit.
Në korridoret e politikë shqiptare i njoh rregullat. Një prej tyre është se “Lajmësi nuk ka faj”! Ai është dezhurni i kohës! Sigurisht!



